Si ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj ashtu edhe zv.Kryeministri Arben Ahmetaj mbrojtën punën e bordeve nga akuzat e opozitës së janë shndërruar në mashë e kompanive që operojnë në treg në caktimin e çmimeve të karburanteve dhe të ushqimeve të shportës.
Debati për çmimet u zhvillua në Kuvend pas prezantimit të raportit vjetor të Autoritetit të Konkurrencës nga kreu i këtij autoriteti, Denar Biba.
Ahmetaj tha se jo gjithçka është perfekte dhe se problematika ka, por qëllimi i bordeve dhe i gjithë vendimmarrjes së qeverisë, sipas tij, ka qenë i orientuar drejt mbrojtjes së konsumatorit nga çmimet abuzive.
Por, veç deputetëve të opozitës kundër bordeve foli edhe deputeti socialist, Erion Braçe. Ai i cilësoi bordet abuzimin më të madh në treg.
“Ekzistenca e bordeve është pranim i abuzimit më të madh në treg. Janë 4 kompani që kontrollojnë ushqimet dhe katër të karburanteve që në marrëveshje me njëra-tjetrën kanë cenuar konkurrencën”, tha ai.
Braçe tha se Qeveria nuk ja ka dalë mbanë që të krijojë tregje vërtet konkurruese, duke hequr barrierat për hyrjen e operatorëve të rinj në treg.
“Duhet luftuar abuzimi, ose me tregtarët ose me qytetarët”, deklaroi ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.