Nga Gazeta ‘SI’ – Nga 1 janari 2026 ka nisur zyrtarisht zbatimi i sistemit bonus-malus në sigurimin e detyrueshëm motorik në vend, duke sjellë një ndryshim të rëndësishëm në mënyrën e përllogaritjes së primit për drejtuesit e mjeteve.
Sipas parimit bonus-malus, drejtuesit e mjeteve që kanë shkaktuar dëme në aksidente rrugore do të përballen me rritje të primit të sigurimit, ndërsa ata që nuk kanë pasur dëme do të përfitojnë ulje në çmimin e policës.
Me hyrjen në fuqi të këtij sistemi, për policat e reja të sigurimit nuk aplikohet më një tarifë fikse. Primi llogaritet në bazë të disa elementëve të riskut, ndër të cilët përfshihen fuqia motorike e mjetit, rajoni ku është i regjistruar automjeti, mosha e të siguruarit, përvoja e drejtuesit të mjetit, vjetërsia e automjetit, si dhe qëllimi i përdorimit të tij, nëse përdoret për nevoja personale apo për aktivitet biznesi.
Sistemi parashikon çmime më të larta sigurimi për drejtuesit e mjeteve të grupmoshës 18–21 vjeç, të cilët konsiderohen si kategori me risk më të lartë. Po ashtu, edhe mosha e automjetit ndikon në përllogaritjen e primit, pasi politika e re synon të favorizojë përdorimin e mjeteve më të reja, përfshirë automjetet elektrike dhe hibride, në funksion të sigurisë rrugore dhe mbrojtjes së mjedisit.
Ligji i miratuar në vitin 2024 ia ka lënë kompanive të sigurimit në diskrecion zbatimin e sistemit bonus-malus, duke mos e bërë atë të detyrueshëm. Megjithatë, sipas një vlerësimi të fundit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, rreth 96% e drejtuesve të mjeteve pritet të trajtohen me bonus, ndërsa 3.8% e tyre do të penalizohen, në varësi të historikut dhe incidencës së dëmeve të shkaktuara.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




