Gazeta Si – Prokurorët brazilianë kanë akuzuar ish-presidentin Jair Bolsonaro për një komplot të dyshuar për grusht shteti.
Përveç Bolsonaros, siç thuhet në një njoftim për shtyp, janë edhe 33 të dyshuar të tjerë. Qëllimi i planit ishte parandalimi i kthimit të Lulës në pushtet pas zgjedhjeve të 2022-it.
Prokurori i Përgjithshëm i Brazilit, Paulo Gonet, tha se ish-presidenti Jair Bolsonaro dinte dhe miratoi një plan për të helmuar pasardhësin e tij dhe presidentin aktual Luiz Inácio Lula da Silva, si pjesë e një përpjekjeje për grusht shteti për të qëndruar në pushtet.
Gonet e paditi zyrtarisht Bolsonaron për përpjekje për një grusht shteti për të qëndruar në detyrë pas humbjes së tij në zgjedhjet e vitit 2022.
Prokurori tha se plani përfshinte edhe vrasjen e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, Alexandre de Moraes, një kundërshtar i ish-presidentit.
“Anëtarët e organizatës kriminale kanë strukturuar një plan në pallatin presidencial për të sulmuar institucionet, me qëllim rrëzimin e sistemit të pushtetit dhe të rendit demokratik”.
Tani ankesa do t’i dërgohet Gjykatës së Lartë të Brazilit, e cila do të vendosë nëse Bolsonaro do të duhet të shkojë në gjyq dhe nëse do të urdhërojë arrestimin e tij edhe para gjykimit.
Nëse shpallet fajtor, prokuroria kërkon nga 12 deri në 40 vjet burg për Bolsonaro, megjithëse sipas analistëve politikë dhe gazetave braziliane ish-presidenti nuk ka gjasa të marrë një dënim kaq të rëndë. Bashkë me të prokuroria ka akuzuar edhe 33 persona të tjerë.
Pas ankimimit, Bolsonaro lëshoi një deklaratë, në të cilën ai i përcaktoi akuzat si të motivuara politikisht dhe një mënyrë për të manipuluar zgjedhjet e ardhshme përpara se ato të zhvillohen.
Ai gjithashtu e krahasoi veten me presidentin e SHBA-ve, Donald Trump, aleatin e tij politik, i cili vetë është ndjekur penalisht vitet e fundit për përpjekje për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të fituara nga Joe Biden në 2020.
Zgjedhjet e reja presidenciale janë planifikuar për vitin 2026 në Brazil: në vitin 2023, Bolsonaro u shpall i papërshtatshëm për 8 vjet nga Gjykata Zgjedhore, por vendimi ende nuk është konfirmuar nga Gjykata e Lartë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




