Pas rikthimit të bujshëm në ring në nëntor për ekzibicionin ndaj Roi Xhons, që solli rreth 66 milionë euro, Majk Tajson ka konfirmuar në Instagram sfidën ndaj Evander Holifildit. Ndeshja do të zhvillohet fundjavën e “Memorial Day”, më 29 maj, në “Hard Rock Stadium”, në Majemi. Do të jetë përballja e tretë mes dy kampionëve.
Vetëm pak ditë më parë Tajson refuzoi ofertën prej 21 milionë eurosh, një shifër shumë e lartë për dikë mbi 50 vjeç. Gjithçka kishte të bënte me kompaninë që e organizonte ndeshjen. Majk Tajson donte t’ia besonte ndeshjen vetëm “Legends Only League”, kompanisë së tij. Tashmë ka ardhur edhe zyrtarizimi: “Holifild është një njeri i përulur, një njeri i Zotit, por edhe unë jam një njeri i Zotit. Më 29 maj do të fitoj unë”.
Ndërkohë, dy çmime “Oscar” dhe një nga regjisorët më të mirë të Hollivudit janë bërë bashkë për të treguar legjendën e Majk Tajsonit. Martin Scorsese, Jamie Fox dhe Antoine Fuqua kanë nisur punën për një miniseri televizive të frymëzuar nga jeta e ish-kampionit të botës për peshat e rënda. Për momentin nuk ka akord për të drejtën televizive, por “Iron Mike” është entuziast për projektin.
“Prej pak kohësh po kërkoja dikë që të mund të tregonte historinë time dhe duke parë reagimin e tifozëve pas rikthimit tim në nëntor, besoj se është momenti i duhur. Mezi pres të bashkëpunoj me gjeni si Martin, Jamie dhe Antoine për t’i sjellë publikut një seri tv që do të tregojë rrugëtimin tim profesional dhe personal, por që edhe mund të frymëzojë dhe argëtojë”, – ka thënë Tajson.
Në fund të shkurtit, platforma Hulu e Disney ka njoftuar prodhimin e një tjetër miniserie me titullin “Iron Mike”, që nuk është aprovuar nga kampioni, që nuk do të përfitojë asgjë, madje ai i ka ftuar tifozët e tij ta bojkotojnë këtë telefilm.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.