Arsim

Bojkoti, Ministria ka marrë përsipër plotësimin e disa kërkesave, por jo pagat. Të premten merret vendimi për protestën

Nga Gazeta Si- Ka vazhduar edhe ditën e sotme bojkoti i pedagogëve të cilët në një deklaratë për median kanë thënë se të paktën edhe kjo javë do të mbyllet me bojkot ndërkohë që Ministria e Arsimit ka marrë përsipër plotësimin e disa kërkesave të peticionit, por rritja e pagave dhe financimi për kërkimin shkencor mbeten dy pika që nuk kanë marrë përgjigje.

“Jemi në fazën kur ministria e arsimit ka sjellë një përgjigje ku sipas tyre një pjesë prej kërkesave do të zgjidhen dhe në të vërtetë janë të zgjidhshme sepse kanë qenë vetëm pengesa të neglizhencës dhe moszbatimit të ligjit, ndërsa problemi kryesor nuk është zgjidhur dhe tashmë përgjegjëse është vetëm qeveria”, tha Sandër Kovaçi.

Kovaçi tha se ditën e nesërme (e premte) do të merret edhe vendimi për vijimësinë e bojkotit por deri sa të marrin një përgjigje për plotësimin e të gjithë kërkesave, do të vijojë bojkoti.

Ai shtoi se për 8% të pagës që do financohet nga universitetet kanë marrë përgjigje vetëm nga një universitet që ka thënë se mund ta realizojë për vetëm një vit ndërsa, dy universitete të tjera janë në diskutim pasi nuk e dinë si do e realizojnë pjesën e 8%.

“Në një situatë të tillë ne do të vazhdojmë me kërkesën tonë drejtuar vetëm qeverisë”, tha Kovaçi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë