Nga Gazeta Si – Edhe pse pedagogët e përmendin Fakultetin e Shkencave dhe Natyrës si “fakulteti shembull për bojkotin e mësimit”, nga pedagogët nga një vëzhgim i Gazetasi.al, rezulton se situata nuk është mirëfilli ashtu.
Në Fakultetin e Shkencave mësimi ka nisur që ditën e parë për një pjesë të mirë të studentëve, të cilët thonë për Gazetasi.al se tashmë pedagogët po marrin edhe mungesat.
Studentët shprehen se orët e leksioneve po zhvillohen të plota, duke ‘injoruar’ edhe bojkotin e pedagogëve. Madje as në dyert e mbyllura të auditoreve nuk përmendet fjala “bojkot”.
E njëjta situatë po ndodh edhe në fakultete të tjera si ai i historisë dhe filologjisë, ku mësimi këtë javë ka filluar normalisht.
“Javën e kaluar nuk bëmë mësim të rregullt sepse dy prej pedagogëve kishin probleme të tyre por nga ajo që tha përfaqësuesi i studentëve, pedagogët e kanë theksuar se nuk ka qenë ndërprerje për shkak të bojkotit. Këtë javë kemi nisur me mësimin normalisht”, tha një studente në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë.


Edhe te Fakulteti i Drejtësisë mësimi vazhdon si çdo vit tjetër. Atje studentët thonë për Gazetasi.al se bojkoti është si “non grata”, pasi askush nuk e përmend dhe duket se nuk po ndodh asgjë jashtë normales.
Njësoj është situata edhe në Universitetin e Arteve, ku pjesërisht po zhvillohet mësim nga disa pedagogë.
Bojkotin e anashkalon si diçka që nuk po ndodh edhe ministrja e Arsimit Evis Kushi, e cila gjatë këtyre ditëve ka zgjedhur të vizitojë disa nga Universitetet më të përmendur për të uruar studentët dhe pedagogët për fillimin e vitit të ri akademik.
Ministrja ka qenë në Universitetin e Arteve, aty ku u zhvillua një ditë bojkoti dhe pedagogët e arteve janë disa nga pedagogët më të pikasur gjatë bojkotit të cilët shpesh herë kanë marrë edhe fjalën.
Pikërisht në këtë Universitet, Kushi deklaroi se procesi mësimor vijon normalisht.
Tek juridiku gjithashtu vazhdon mësimi për pjesën më të madhe të studentëve dhe shumë prej tyre shprehen se mësimi ka filluar normalisht këtë javë, që të hënën.
“Javën e parë kishim prezantim dhe më shumë u njohëm me pedagogët dhe lëndët. Këto dy ditë orët i kemi zhvilluar të plota dhe janë marrë mungesat.
Arkitektura duket se ka vendosur të fillojë vitin e ri akademik javën tjetër. Studentët janë lajmëruar se me datë 31 tetor fillon mësimi.
“Vitet e tjera kemi filluar njësoj si të gjithë ndërsa këtë vit na lajmëruan se nuk do të fillojmë më 17 tetor, atëherë kur ishte deklaruar se do të fillonte viti i ri akademik. Para disa ditësh na dërguan orarin duke na thënë se do fillojmë më 31 tetor”, thotë Adela, studente në vitin e dytë arkitekturë. Ajo tregon se nuk kanë marrë asnjë shpjegim pse do e fillojnë mësimin kaq vonë.



Ajo që vihet re është ‘lodhja’ e studentëve për gjithë rrëmujën e krijuar, siç e quajnë ato.
“Studentët nuk e dinë çfarë të bëjnë. Kanë menduar se do të ishte diçka e përkohshme por po zgjat dhe kjo është e tepërt”, thotë një nga studentët në Fakultetin e Drejtësisë duke shtuar se studentët që nuk kanë zhvilluar mësim deri tani e kanë menduar edhe të kthehen në shtëpitë e tyre nëpër rrethe por këtë e kanë të pamundur duke qenë se tashmë po paguajnë para për qiranë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



