Gazeta Si – Bojkoti tre ditor i avokatëve, në shenjë solidarizimi për kolegun e tyre të dhunuar Sokol Mëngjesi, ka sjellë shtyrjen e disa seancave gjyqësore këtë të mërkurë në të gjitha nivelet, proces civil, penal dhe administrativ.
Bojkot të gjyqeve ka pasur si në Shkallën e Parë të Dhomës Penale, Shkallën e Parë të Gjykatës së Posaçme, por edhe në Apelin e Posaçëm.
Në listë për këtë të mërkurë në Gjykatën Penale të Tiranës janë të listuara për t’u zhvilluar 23 seanca gjyqësore, ndërsa do të zhvillohen 6 seanca gjyqësore të cilat janë për caktim masa sigurie.
Ndërkohë në Gjykatën e Posaçme, në listë për t’u zhvilluar janë 20 seanca gjyqësore, shumica prej tyre priten të shtyhen si pasojë e bojkotit.
Ndërkohë, në Apelin e Posaçëm në listë janë 7 seanca ku vetëm dy prej tyre do të zhvillohen.
Përveç Tiranës, bojkotit të seancave gjyqësore i janë bashkuar edhe Dhoma e Avokatisë në Korçë, Shkodër, Elbasan dhe Durrës. Shtyrja e seancave mund të shfaqë ngërçe, por edhe probleme sa i përket afateve.
Kreu i dhomës së Avokatisë Maks Haxhia në mbledhjen e së martës shprehu qartë se avokatët të cilët do marrin pjesë në seancat gjyqësore, duke përjashtuar ato për masat e sigurisë, do cilësohet shkelje e rendë dhe do vihen në lëvizje Komiteti disiplinor, i cili do marrë masa deri në heqjen e licencës.
Sipas vendimit të Dhomës Kombëtare të Avokatisë, seancat gjyqësore nuk do të braktisen vetëm kur kemi të bëjmë me objekt caktimi, ndryshimi, zëvendësimi dhe shuarje të masave të sigurimit.
Vendimi për të bojkotuar seancat për 3 ditë erdhi pas dhunës barbare ndaj avokatit Sokol Mëngjesi, i cili ndonëse ka kaluar një javë nga ngjarja e rëndë, është ende në rrezik për jetën, i transportuar për mjekim të specializuar në Athinë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




