Muzike

Bojkot dhe përçarje për shkak të Izraelit / Çfarë po ndodh me Festivalin Europian?

Nga Gazeta “SI”- Festivali Europian i këngës Eurosong, një nga eventet më të ndjekura muzikore në botë po përballet me një krizë politike dhe morale, e cila ka vënë në dyshim jo vetëm edicionin e vitit 2026, por edhe vetë identitetin dhe të ardhmen e konkursit.

Islanda u bë vendi i pestë që njoftoi tërheqjen nga Eurovizioni 2026, pas Spanjës, Irlandës, Sllovenisë dhe Holandës. Të pesë vendet u larguan në shenjë proteste ndaj vendimit të Unionit Europian të Transmetimeve (EBU) që lejonte Izraelin të marrë pjesë, pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme nga disa shtete anëtare që Kan, transmetuesi izraelit, të përjashtohej.

RUV, transmetuesi publik islandez, deklaroi se pjesëmarrja e Izraelit ka shkaktuar “përçarje të madhe” mes publikut islandez dhe brenda vetë EBU-së. Sipas RUV, reformat e votuara nga Unioni  duke përfshirë kufizimin e votave individuale, rikthimin e jurive profesionale në gjysmëfinale dhe ndalimin e fushatave të tepruara të promovimit  janë të pamjaftueshme për të garantuar një garë të drejtë dhe depolitizuar.

Grupi islandez gjatë protestës në mbrotje të Palestinës, Eurovozion 2024

Islanda, një nga vendet ku Eurovizioni ka shikueshmërinë më të lartë në botë (deri në 95% të popullsisë), ka pasur edhe më parë përplasje me EBU-në. Në vitin 2019, grupi islandez Hatari u gjobit për shfaqjen e flamujve palestinezë gjatë transmetimit live nga Tel Avivi.

Nemo, fituesi i vitit të shkuar kthen trofeun

Kriza mori një kthesë të re kur këngëtari zviceran Nemo, fitues i Eurovizionit 2024 me këngën “The Code” publikoi një video ku njoftoi se po kthente trofeun e tij zyrtar.

Duke mbajtur në dorë trofeun prej qelqi në formë mikrofoni, ai tha se “nuk e ndien më se ky trofe i përket raftit të tij” dhe se pjesëmarrja e Izraelit  përbën një kundërshtim të hapur me idealet e deklaruara të Eurovizionit për unitet, respekt dhe dinjitet për të gjithë.

Gjesti i tij është cilësuar nga shumë si akti më i fortë simbolik i një fituesi të Eurovizionit kundër vendimeve të EBU-së dhe ka ndikuar më tej debatin publik.

Arsyeja kryesore e kundërshtimeve mbetet lufta në Gaza. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës  e cila operon nën autoritetin e Hamasit, por që zakonisht konsiderohet e besueshme nga organizatat ndërkombëtare  më shumë se 70,000 palestinezë janë vrarë që prej fillimit të konfliktit.

Këngëtari zvicerian Nemo, fituesi i Eurosong 2024

Izraeli, nga ana e tij, e justifikon fushatën si mbrojtje ndaj sulmit të 7 tetorit 2023, kur militantët e Hamasit vranë rreth 1,200 persona dhe morën peng 251 të tjerë. Ndërkohë, disa ekspertë ndërkombëtarë, përfshirë edhe ato të një organi të OKB-së, kanë deklaruar se ofensiva e Izraelit në Gaza mund të përbëjë gjenocid , një akuzë që Izraeli e mohon fuqishëm.

Kjo nuk është hera e parë që Eurovizioni futet në qendër të ngjarjeve botërore. Konkursi ka një histori të gjatë tensionesh politike. Për shembull, Rusia u përjashtua në vitin 2022 pas pushtimit të Ukrainës.

Por situata aktuale konsiderohet nga shumë si sfida më e madhe e dekadave të fundit. Protesta në rrugë, mosmarrëveshje të hapura mes shteteve pjesëmarrëse, betejat e brendshme të EBU-së dhe dyshimet ndaj proceseve të votimit, për shkak të rezultateve të forta të Izraelit në televotimin e viteve të fundit  e kanë lënë konkursin të përçarë.

Eurovizioni 2026 do të mbahet në Vjenë, pasi Austria fitoi konkursin e vitit 2025. Megjithatë, numri i vendeve pjesëmarrëse mbetet i paqartë. Nga 37 vende që morën pjesë në vitin 2025, vetëm 31 kanë konfirmuar për vitin 2026, me Armeninë ende të pavendosur dhe pesë vende të tërhequra në shenjë proteste.

Pankarta qe shpalosi zëvendëskryeministrja e dytë e Spanjës, Yolanda Diaz kundër Izraelit në Eurovizion

Edhe pse disa shtete të tjera që kishin munguar për arsye financiare (si Bullgaria, Moldavia dhe Rumania) janë rikthyer, kriza politike ka errësuar atmosferën e një eventi që zakonisht promovohet si një festë gëzimi, diversiteti dhe bashkimi mes popujve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë