Kinema

Freddie Mercury, “zbavitës” edhe i vdekur

Ann Hornaday/Washington Post –Mund të përcaktojmë disa gjëra rreth “Bohemian Rhapsody.” Mund të përcaktojmë se nuk është ndonjë film i madh. Mund të përcaktojmë edhe se, në shumë mënyra, nuk është as ndonjë film i mirë. Si një biografi klishe, shpesh me nota qesharake e liderit të “Queen”, Freddie Mercury-it, një sipërmarrje që duhet të ishte aq e guximshme dhe teatralisht e shkëlqyer,  ndërsa subjekti gjarpëron drejt censurimit, me informacion wikipedia-je, i përmbledhur në mënyrë të keqe dhe pafalshëm tradicional. E megjithatë. Mund edhe të përcaktojmë se, pavarësisht morisë së të metave në pjesë e tij, e përgjithshmja “Bohemian Raphsody” del të jetë tejet zbavitëes, së pari si një ushtrim i “sa-keq-që-është-një kitch-kaq-argëtues”, dhe në fund si diçka me më shumë domethënie dhe emocionues. Hera -herës, një film që vjen dhe sfidon kërkesat e shijes, sofistikimin formal, madje edhe ndershmërinë artistike, ia dalë thjesht në një nivel të kënaqësisë së pastër e të pashpjegueshme. “Bohemian Rhapsody” është ky lloj njëbrirëshi kinematografik: filmi i keq që funksionon, edhe kur nuk do duhej.

Si një xhiro në karusel,  përmes shkëlqimit dhe fundit tragjik të Mercury-it ( ai vdiq nga pneumonia e komplikuar nga Aids,  më 1991), “Bohemian Rhapsody” i prek të gjitha notat e pritshme: njohim të riun Farrokh Bulsara (Rami Malek), të birin e emigrantëve nga Zanzibari, kur punon si hamall në aeroportin Heathrow, që shkruan këngë dhe bën pelegrinazhe në një klub vendas për të dëgjuar bandën e preferuar, “Smile”. Kur vokalisti i grupit largohet, Bulsara bën audicion në një parking, duke mahnitur kitaristin Brian May (Gwilym Lee) dhe bateristin Roger Taylor (Ben Hardy) me gamën e lartë të notave dhe harmonizimin e menjëhershëm. Nuk kishte ndodhur qysh kur Ally këndoi “Shallow” për  Jackson Maine jashtë supermarketit “Super A Foods”, që zotat e muzikës të kishin buzëqeshur kaq frytshëm.

Ajo që vjen më pas është material i historisë së njohur: grupi riemërtohet “Queen” me sugjerimin e Bulsara-s (i cili që në atëkohë e thërriste veten Freddie dhe adoptoi emrin skenik Mercury), banda u bë tejet popullore gjatë viteve ’70 –’80, duke krijuar himne të famshëm dhe shfaqje ekstravagante skenike,  që sfidonin imazhin maçoist të rrokut në atë kohë dhe,  rezultoi shumë elektrizues. Ndërkohë, Freddie, i propozon dashurisë së jetës, Mary Austin-it, (Lucy Boynton), edhe pse thellë në zemrat e tyre, e dinin se ishte gay. Ndërsa fama e Freddie-t rritet, rriten edhe konfliktet: me identitetin e tij seksual, me një menaxher të paskrupullt, me izolimin, drogat dhe më në fund, me bandën që e bëri atë një yll.

Këto pika kryesore janë dramatizuar me një ndjesi metronomike të detyrës në “Bohemian Rhapsody”,  me regji të Bryan Singer, derisa u përjashtua nga produksioni, në pikën ku Dexter Fletcher mori përsipër të përfundonte filmimin dhe ta editonte. Por nuk është ky krejt shkaku i kurtheve të një filmi që, së pari vuan për  një skenar. Një pjesë e asaj që e bën “Bohemian Rhapsody” kaq të mërzitshëm është se nuk ndriçon asgjë përtej asaj që audienca me shumë gjasë e di. Skematik dhe i cekët, fluturon nga një pjesë e shpëlarë tek tjetra,  me të gjithë depërtimin, befasinë dhe thellësinë psikologjike të një episodi të sterilizuar të “Behind the Music” apo një përshtatje aspak ironike e “Walk Hard.” E megjithatë.

Nëse dikush ka dyshuar se kinemaja është mediumi i një aktori, “Bohemian Rhapsody”  bëhet prova e padiskutueshme. Edhe prapa proteza hutuese të dhëmbëve, për të nxitur kafshimin e dalë, tipar dallues të Freddie-it, Malek realizon një performancë të angazhuar, krejtësisht të brendësuar, që çon në lartësimin e materialit të dobët që ka në duar. Goxha më i shkurtër se personazhi i tij, Malek megjithatë mjeshtëron kapardisjen muskuloze dhe prezencën magjepsëse të një burri që, kur këndon përballë turmës së parë të madhe, lajmëron se më në fund ka zbuluar thirrjen e jetës. Edhe në pamjen e tij më të zbehtë dhe të tëhuajësuar, Malek e bën këtë deklaratë tejet të besueshme.

Lumturisht – dhe  ç’është më e rëndësishmja – rolet mbështetëse në “Bohemian Rhapsody” , janë të menduara mirë, ashtu siç tregon montazhi në fund me kreditet, aktorët që interpretojnë May, Taylor dhe basistin John Deacon (Joseph Mazzello) ngjajnë pabesueshëm shumë me analogët në jetën e vërtetë. Pjesët më të mira të “Bohemian Rhapsody” kanë të bëjnë pak me vuajtjet e Freddie-it sesa me alkiminë  e mistershme të një bashkëpunimi mes katër mospërshtatjesh  të vetë-përshkruara që,  në letër nuk do të kishin funksionuar kurrë, por korrën rezultate të çuditshme dhe jetëgjata.

Askund tjetër nuk është më e dukshme sesa në skenat më të pëlqyeshme të filmit që ringjallin performancat e “Queen” dhe seancat e regjistrimit, përfshirë edhe një sekuencë të fuqizuar mrekullisht, kushtuar numrit legjendar të titullit, që u sajua në një maratonë dhe numrin e pafund të provave (gjithë ato “Galileo” që ngjiten lart e më lart). “Bohemian Rhapsody” mbyllet me një nga finalet më të paharrueshme të një filmi, në kujtesën e vonë, kur kineastët, ri-inskenojnë, thuajse notë pas note, paraqitjen e “Queen” në Live Aid, më 1985-ën, një performancë që hyri në histori si ndoshta shfaqja më e mirë live dhe,  ajo që bindi ata që e kishin zhvlerësuar,  si një ngjarje stërvitore e spektaklit elektrizues dhe nivelit teknik të grupit.

Është një kalim mjeshtëror, në të cilin prezenca fizike e Malek-ut shkrihet padukshëm me zërin pak të ngjirur të Freddie-it. Të tjera sekuenca muzikore në film janë theksuar nga zëri i ngjashëm me të Mercury-it, i Marc Martel-it). Ndërsa fiton forcë, e njëjta ndodh edhe me skenën, dhe duke u shtrirë, filmi, fiton peshë dhe emocione dhe një gëzim ngjitës të cilit nuk i shpëton dot. “Bohemian Rhapsody” mund të ketë nisur si një ode për talentin mbinatyror të një njeriu. Mbyllet si një testament për një bandë dhe sa mirë i bënë të ndihen fansat e tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë