Nga Gazeta ‘Si’– Administrata e Presidentit Donald Trump po i bën presion Serbisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit që të pranojnë emigrantë të deportuar nga SHBA-të, sipas njerëzve të njohur me çështjen.
Bloomberg shkruan se kërkesat drejtuar vendeve në rajon janë të vazhdueshme dhe pjesë e një strategjie më të gjerë për të gjetur qeveri të huaja të gatshme të pranojnë emigrantë të dërguar nga SHBA-ja.
Zyrat rajonale të Departamentit të Shtetit të SHBA-së u ngarkuan me detyrën e prezantimit të idesë. Nuk është e qartë nëse u arrit ndonjë marrëveshje si rezultat i bisedimeve.
Shtëpia e Bardhë nuk pranoi të komentojë. Departamenti i Shtetit nuk komentoi menjëherë. Ministria e Jashtme e Serbisë gjithashtu nuk u përgjigj.
Në maj, Gjykata e Lartë i lejoi administratës Trump t’u heqë statusin e përkohshëm ligjor deri në gjysmë milioni njerëzve nga Kuba, Haiti, Nikaragua dhe Venezuela. Administrata ka kërkuar destinacione të mundshme për emigrantët nga ato vende që mund të deportohen si rezultat, tha një nga personat.
Wall Street Journal raportoi në prill se SHBA-të kishin shqyrtuar mundësitë për të dërguar të dëbuarit diku tjetër në Ballkan, përfshirë Moldavinë dhe Kosovën, si dhe vende të tjera anembanë botës.
Por Serbia, e cila nuk është raportuar më parë si një destinacion i mundshëm për të dëbuarit nga SHBA-të, është e rëndësishme për familjen Trump për një arsye të veçantë.
Kryeqyteti i saj është vendi për ndërtimin e ardhshëm të Kullës Trump në Beograd, e planifikuar nga një firmë investimi e bashkëthemeluar nga Jared Kushner, dhëndri i presidentit.
Organizata Trump arriti një marrëveshje për të licencuar markën e saj për projektin. Trump ia dorëzoi kontrollin e Organizatës Trump Eric Trump dhe Donald Trump Jr., dy djemve të tij më të mëdhenj. Trump Jr. gjithashtu mbikëqyr asetet e babait të tij në një fondacion.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, i cili ka luajtur një rol balancues midis Lindjes dhe Perëndimit është një fans i zjarrtë i Trump. Ai ka kultivuar lidhje me botën e MAGA-s kur Trump nuk ishte në pushtet dhe ishte ndër të parët që e uroi Trump për fitoren e tij.
Djali i madh i Trumpit e ka vizituar Serbinë disa herë dhe i dërguari i tij special, Richard Grenell, u nderua me nderimin më të lartë civil të Serbisë.
Në vizitën e tij të fundit në fund të prillit, Trump Jr. darkoi me Vuçiçin gjatë një turneu në kryeqytetet e Evropës Lindore që synonte identifikimin e mundësive të biznesit në cilësinë e tij si nënkryetar ekzekutiv i Organizatës Trump.
Në maj, Vuçiç kishte shpresuar për një takim me Trump në Florida, por u sëmur gjatë udhëtimit në SHBA dhe iu desh ta ndërpriste atë. Disa ditë më vonë, ai mori pjesë në paradën e Ditës së Fitores më 9 maj në Moskë, pavarësisht paralajmërimeve nga zyrtarët e Bashkimit Evropian.
Marrëveshjet për të pranuar emigrantët e deportuar nuk janë të paprecedentë në rajon.
Një marrëveshje e ngjashme u arrit midis Italisë dhe Shqipërisë pasi Kryeministrja Giorgia Meloni e bindi kombin ballkanik të hapte qendra për emigrantët e ndaluar teksa përpiqeshin të kalonin nga Afrika në Evropë nëpërmjet detit. Italia paguan për koston e qendrave. Megjithatë, marrëveshja ka hasur në vështirësi praktike dhe në betejat e veta në gjykatat italiane.
Këto biseda të fundit me vendet e Ballkanit po zhvillohen ndërsa masat e ashpra të SHBA-së ndaj imigracionit janë kundërshtuar në gjykata. Më shumë se 200 emigrantë, kryesisht venezuelas, u deportuan në burg në El Salvador.
Burimi: Bloomberg/Përshtati Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.