Futboll

Blof i Partizanit, Erzeni e mund në ‘Air Albania’ pas 100 minutash lojë

Gazeta Si – Edhe Partizani bën blofin në ndeshjen e fundit zyrtare të 2023-shin në Superiore. Kampionët në fuqi morën një ‘dhuratë’ nga Tirana, që disa orë më parë fitoi në fushën e Egnatias, por edhe ata u mundën në fushën e tyre nga Erzeni.

Ndeshja e luajtur në stadiumin ‘Air Albania’ zgjati 100 minuta dhe përfundoi me fitoren 1-2 të shijakasve. Partizani, pas një serie të gjatë barazimesh, shkoi më keq sot, duke e mbyllur vitin me humbje, që e lë 5 pikë nga vendi i parë.

Mihana kaloi Erzenin në avantazh që në fillimin e ndeshjes. Miqtë dyfishuan me Kahrimanoviç me penallti dhe vetëm në fillim të pjesës së dytë Partizani u rifut në lojë me golin e Bintsouka. Tedi Cara humbi shansin më të mirë për të barazuar, pasi gjuajtja e tij nga pika e bardhë e penalltisë u ndal nga portieri Hasanbelli.

Të kuqtë hodhën në fushë të gjithë sulmuesit që kishin në stol, por rezultati nuk do të ndryshonte deri në fund, edhe pas 10 minutave shtesë. Erzeni merr një fitore të madhe në kryeqytet, ndërsa Partizani vazhdon të ketë probleme.

Ndeshjen e ndoqi nga tribuna edhe Orges Shehi, trajneri që pritet të marrë drejtimin e Partizanit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë