Politike

Bllokohet sërish komisioni për reformën zgjedhore, mbledhja kalon online me anëtarët e PS-së dhe Bashës. Bylykbashi: Reformë me paterica

Komisioni për reformën zgjedhore i parashikuar për të premten ka kaluar mbledhjen online, për shkak të bllokimit të punimeve nga grupi Bardhi-Berisha.  Deputeti Ervin Salianji tha pas dështimit të mbledhjes së komisionit të Reformës Zgjedhore, se është mazhoranca që ka dy vite që bllokon mbledhjen, duke mos lejuar përfaqësimin e opozitës reale në përbërje të komisionit.

“...Edhe sot u bllokua mbledhja, kane dy vite që nuk bëjnë asnjë, e thanë hapur sesi do ta bëjnë reformën. Thanë qartë që do përpiqen të blejnë vota për të bërë zgjedhje kushtetuese. Kjo është tallja që bëhet me qytetarët dhe përfaqësuesve që kanë dalë edhe me votat e partisë demokratike, dhe ky është regjimi që kemi...”, tha ai

Edhe në këtë mbledhje, kanë qenë deputetët e Partisë e Socialiste dhe bashkëkryetari Damian Gjiknuri që janë futur në sallë dhe për disa minuta kanë debatuar me deputetët e opozitës dhe më pas janë larguar. Ata që munguan sërish ishin dy anëtarët e PD-së zyrtare Enkelejd Alibeaj dhe Kreshnik Çollaku.

”E thënë e zeza mbi të bardhë, kërkojmë një komision që përbëhet gjysma nga mazhoranca, gjysma nga opozita, secila palë përfshin të gjithë faktorët politike dhe partitë politike brenda saj.

Bashkëkryetarët që mbajnë veton i takojnë partisë më të madhe në mazhorancë dhe partisë më të madhe në opozitë, që është PD që ne përfaqësojmë me kërkesë të qartë të pothuajse 50 deputetëve të parlamentit.

Është rrëzuar njëherë kërkesa qartazi në vullnetin e shprehur të Edi Ramës për të mos bërë reformë konsensuale, në thyerje të traditës 20-vjeçare, të asaj që ka prodhuar atë që siç thotë ODIHR përbën një bazë të shëndoshë për zgjedhje demokratike, që ka garantuar dy herë rotacion politik.

Edi Rama këtë nuk e do, ka bllokuar rotacionin politik nëpërmjet zgjedhjeve të manipuluara në vitet 2017, 2019, 2021 dhe 2023.

Pavarësisht këtij qëndrimi, PD dhe gjithë opozita, gjithë koalicioni opozitar ka shprehur vazhdimisht gatishmërinë për të gjetur konsensus për të trajtuar atë që kërkojnë partnerët me deklaratën e fundit fare qartë edhe nga OSBE/ODIHR.

Kjo është kërkesa e re, e dorëzuar dje në parlament, ku 47 deputetë kanë firmosur sërish kërkesën që komisioni i Reformës Zgjedhore të rikompozohet në përputhje me vullnetin e shumicës dërrmuese të opozitës...”, tha Bylykbashi pas mbledhjes.

Më tej ai nënvizoi: “Shqipëria nuk ka nevojë për një politikë të njëanshme që mbështetet mbi paterica.

Është shumë e rëndësishme që të trajtojmë ato që janë shqetësime thelbësore dhe jo të krijohen mazhoranca false në parlament”.

Mbledhja e punimeve u vendos të zhvillohej online edhe pse anëtarë të PS-së më herët janë shprehur se për shkak të përmbajtjes është e pamundur që reforma të kalojë me diskutime online.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë