Bllokimi i zinxhirëve të furnizimit në Kinë i ka shtrirë efektet e tij edhe në Shqipëri.
Ngërçet, e shkaktuara pas variantit të ri që infektoi Kinën, po shkaktojnë vonesa të porosive dhe amulli edhe në postat shqiptare.
Në një vëzhgim që Gazetasi.al bëri në disa nga filialet e postave konstatoi se jo pak qytetarë ishin duke pritur në rradhë dhe po ankoheshin për vonesat e pakove. Shumë prej tyre pohonin se kishin ditë që shkonin edhe interesoheshin për porositë.
Përgjithësisht, pjesa më e madhe e tyre kishin bërë porosi tek Ali Express, një aplikacion blerjesh online që bazën e ka në Kinë. Blerësit e rregullt e dinë që për të të ardhur produktet nga Ali Express nevojiten disa javë, ndërsa është atipike pritja që po u zgjat shumë më tepër se aq këto kohë.
“Vij pothuajse çdo ditë që të interesohem për disa produkte që kisha porositur dhe asnjë njoftim. Gjithmonë ka patur vonesa sepse unë jam blerëse e rregullt në Ali Express por tani e kanë kaluar kufirin. Nuk është normale që të pres tre muaj për disa fjongo flokësh sikur kushedi se çfarë po pres.
Vetëm më thonë që ka vonesa nga varianti i Covid-it në Kinë i cili ka shkaktuar sërish bllokime në furnizim”, thotë për Gazetasi.al Ela Doda, një vajzë që po qëndronte jashtë postës.
Duke shfryrë mërzitshëm, ajo tha mandej se nuk është normale që të shkojë të kontrollojë çdo ditë për porositë e saj, por është e detyruar ta bëjë këtë nisur nga disa eksperienca të këqija të mëparshme me Postën Shqiptare.
“Normalisht kur pret të të vijë një dërgesë, aty është numri yt i telefonit dhe adresa jote dhe presupozohet të të kontaktojnë nga posta.
Prisja disa porosi më parë të cilat kishin ardhur në Shqipëri dhe asnjë nga posta nuk më mori në telefon për të më treguar që kishin arritur, derisa u interesova vetë.
Ditën e parë më thanë që pakoja kishte ardhur në Tiranë dhe pasi prita më shumë se 40 minuta në filial më thanë se nuk po e gjenin dot. Të nesërmen u kujtuan të më merrnin dhe më lajmëruan se e kishin gjetur”, shtoi ndër të tjera jo pa nota ironie për Gazetasi.al ajo.
Sportelistja pranë zyrave qendrore të Postës Shqiptare në qendër tha për Gazetasi.al se prej disa ditësh shumë qytetarë janë ankuar për vonesat e dërgesave, por kjo nuk është në dorën e tyre.
Ajo tregoi se qytetarë të shumtë në Tiranë bëjnë porosi për produkte nga Kina dhe në kushtet e një situate të tillë, do të duhet të presin pasi bllokimi i zinxhirëve të furnizimit nisi të përkeqësohej që nga mesi i marsit kur shpërtheu varianti i ri i Covid-it.
Më 14 mars Kina regjistroi 5.370 raste të reja me Covid-19. Atje ku nivelet e vaksinimit mes të moshuarve janë ende shqetësuese të ulëta, ishte një kërcënim i patolerueshëm për politikën e saj të dashur me zero-covid.
Bllokime me ashpërsi të ndryshme u vendosën gjithashtu në Shangai dhe Shenzhen, dy qytete që përbëjnë më shumë se 16% të eksporteve të Kinës.
Shanghai është shtëpia e portit më të madh të kontejnerëve në botë dhe një aeroport i madh që shërben për ngarkesat ajrore hyrëse dhe dalëse. Eksportet e prodhuara në Shangai përbëjnë 7.2% të vëllimit të përgjithshëm të Kinës dhe rreth 20% të xhiros së kontejnerëve të eksportit të Kinës lëviz përmes portit atje.
Shumica e depove dhe impianteve janë të mbyllura, nëntë nga 10 kamionë janë mënjanuar, porti dhe aeroporti kanë funksione të kufizuara, njësitë e transportit janë bllokuar në vendet e gabuara dhe mallrat po grumbullohen.
Në përgjigje të mungesës së fuqisë punëtore dhe ngarkesave, transportuesit ajror kanë njoftuar anulime të gjera.
Qatar Airways njoftoi se fluturimet e mallrave do të mbeten të anuluara deri të enjten e ardhshme, duke thënë se "kufizimet e fundit COVID-19 të shpallura nga autoritetet lokale kufizojnë aftësinë tonë për të kryer fluturime brenda dhe jashtë Shangait me ngarkesa të mjaftueshme ngarkesash".
Në një situatë të tillë, duket se dërgesat do të ngecin edhe për shumë kohë në kamionë të ndryshëm duke shkaktuar rritjen e rradhëve nëpër posta. E bashkë më të, edhe të indinjatave.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.