Bllokimi i kanalit të Suezit ka bllokuar transportin detar të mallrave midis Europës, Azisë dhe Lindjes ku është prekur dhe Shqipëria. Bllokimi ndodhi të martën e 23 marsit kur një anije rreth 200.000 ton u godit nga erërat e forta dhe ngeci në takimin e ujërave të Suezit me tokën duke shkaktuar dëme nën kostot e mbi 300 bilionë eurove.

Bizneset në Shqipëri të cilat kanë nevojë për import të mallrave apo produkteve parësore po e ndjejnë rrezikun dhe janë të frikësuar se dëmit të shkaktuar nga pandemia do t’i shtohet dhe problemi në Suez.
Administratorja e një ndër kompanive të distribuimit në Shqipëri, Erinda Balla nga “Go Logistics” shprehet për gazetën “Si” se kjo situatë do të shkaktojë humbje të larta financiare për kompanitë e transportit dhe vetë bizneset në Shqipëri e Kosovë.
“Ne si transportues na imponon përpjekjet për të gjetur zgjidhje të shpejta dhe adeguatë për transportimin dhe dërgesat e ngarkesave dhe ne po i orientojmë klientët tanë drejt transportit hekurudhor të mallrave. Gjë që është tepër e vështirë për rajonin tonë,”-tregon Balla.
Administratorja e “Go Logistics” tregon se në kanalin e Suezit janë bllokuar minimalisht 1000 teus njësi në llogari të kompanive tregtare në Shqipëri dhe Kosovë. E njëjta sasi ka ngelur pezull pa u nisur nga portet e Lindjes së Largët.
Mesatarisht në portin e Durrësit në një javë vijnë 700 kontejnerë mallrash nga të cilat 450-500 kalojnë nga Suezi me vlerë mesatare 35 mijë dollarë për kontejner. Kostot ditore të qarkullimit të mallrave me të cilat po përballet Shqipëria është rreth 2.5 milionë dollarë.
Balla tregon se Shqipëria merr rreth 80% të mallrave nga zonat që transportojnë nga kanali i Suezit dhe problematika tjetër është pezullimi i eksportit nga vendet e rajonit, duke rritur akoma më shumë deficitin financiar të shkaktuar nga situata në kanalin më të madh tregtar, në Suez.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




