Ngjarje

Bllokime dhe devijime trafiku, Tirana e blinduar për rreth 12 orë për samitin e BE (Të gjitha akset)

Gazeta Si – Prej orëve të mbrëmjes së të hënës, Tirana është zgjuar në “shtetrrethim” këtë të martë (6 dhjetor 2022) për shkak të masave të sigurisë për samitin Bashkimi Europian-Ballkani Perëndimor.

Përpos rrugëve brenda kryeqytetit, këtë të martë ka bllokim ose devijim të rrugëve edhe për disa akse interurbane për 12 orë me radhë.

Policia e Tiranës, bën të ditur se bllokimi i lëvizjes në këto akse ka nisur nga ora 06:00 e mëngjesit të së martës deri në orën 18:00. 

LEXO EDHE:
– FOTO / Tirana mes samitit të BE dhe protestës. Nis bllokimi i rrugëve dhe mbyllja e bizneseve rreth ‘Air Albania’. Shtyllat lyhen me graso te kryeministria
– Siguria më e lartë se gjatë vizitës së Xhorxh Bush. 700 policë me shërbime të hapura për të ruajtur delegacionet, ministrave u hiqen përkohësisht truprojat

Po në këto akse ka edhe bllokime me intervale kohore gjatë gjithë ditës për të bërë të mundur kalimin e liderëve europianë që kanë mbërritur në Tiranë.

Sot ndalohet edhe qarkullimi rreth zonës së stadiumit ‘Air Albania’ ku po zhvillohet edhe samiti. Kjo zonë është marrë në mbrojtje nga Policia e Shtetit.

Akset që janë bllokuar:

– Rruga Rinas – Qafë Kashar dhe anasjelltas;

– Autostrada Tiranë- Vorë dhe anasjelltas;

– Unaza madhe nga ish-Sheshi Shqiponja – Rrethi i Sanatoriumit dhe anasjelltas;

– Rruga e Elbasanit nga Rrethi Sanatoriumit deri tek Ura e Elbasanit dhe anasjelltas.

– Të gjithë akset që lidhin “rrugën e Elbasanit” me rrugën “Papa Gjon Pali II”, rruga “Dervish Hima”, rruga “Asim Zeneli’, rruga “Themistokli Gërmenji”, rruga “Ismail Qemali”, rruga “Mustafa Matohiti”, rruga “Jul Variboba”, rrugët “Faik Konica”, “Fatmir Haxhiu”, “Gjeneral Nikols”, Rrugët e Atjonit, “Sheh Ahmet Pazari”, si dhe të gjitha rrugët që lidhin Blv. “D.Kombit” me rrugët “Ibrahim Rugova”, “Ukraina e Lirë”, “Lek Dukagjini” janë të bllokuara.

Gjithashtu, në këto segmente nuk lejohet parkimi i mjeteve dhe për mjetet që nuk janë larguar, është bërë zhvendosja me mjete-ngritës nga Policia Bashkiake dhe Policia e Shtetit.

Për mjetet e emergjencave mjekësore dhe emergjencave civile, nuk do të ketë pengesa, përveç kontrolleve policore në perimetrin e sigurisë do të jenë të kontrolluara nga punonjësit e policisë.

Bllokimi i trafikut dhe devijimi në autostradat dhe rrugët interurbane që të çojnë drejt Tiranës, ka filluar në orën 07:00.

Drejtuesit e mjeteve që vijnë nga Veriu, me destinacion aeroportin e Rinasit, rrugëkalimi bëhet nga aksi Fushë Prezë-Rinas.

Drejtuesit e mjeteve që vijnë nga Durrësi me destinacion aeroportin e Rinasit, rrugëkalimi bëhet nga Vorë-Rruga e Vjetër e Fushë Krujës.

Drejtuesit e mjeteve që vijnë nga Juglindja me destinacion aeroportin e Rinasit, rrugëkalimi bëhet nga aksi Elbasan-Rrethrrotullimi i Tegut-Unaza Lindore- Paskuqan-Kamëz-Kryqëzimi Valiasit-Rinas.

Për të gjitha emergjencat mjekësore që vijnë nga Veriu dhe Jugu gjatë kohës së bllokimit të trafikut për në drejtim të Spitalit të Traumës, duhet të ndiqen rrugët alternative nga Paskuqani-Azem Galica-Shinat e Trenit-Spitali i Traumës dhe nga rruga e Shkodrës-Petrit Radovicka-Gjergj Legisi-Lord Bajron-Spitali i Traumës.

Për të gjitha emergjencat mjekësore në drejtim të QSUT dhe Spitalit “Shefqet Ndroqi”, duhet të ndiqet Unaza Lindore kur vijnë nga Juglindja për të vijuar nga Shkoza-Kryegjyshata botërore-Farkë-Sanatorium dhe Kodra e Priftit QSUT.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë