Arsim

Bllofi i Ministrisë së Arsimit: Rivlerësimi i testeve të Maturës Shtetërore, kërkesë e nxënësve

Ministria e Arsimit nëpërmjet një e-maili për Gazetasi.al thotë se metodologjia aktuale është e pagabueshme.

Nga Gazeta Si – Ministria e Arsimit i është përgjigjur pyetjes së Gazetasi.al se përse vendosën të rivlerësojnë testet e Maturës Shtetërore, duke thënë se kjo është kërkuar nga vetë nxënësit maturantë ndër vite.

“E drejta e maturantit për ankimim dhe për rivlerësim të testit vjen si rezultat i kërkesave që MAS ka marrë nga maturantë, mësues dhe prindër. Bazuar në këto kërkesa është bërë ky ndryshim i rëndësishëm dhe i domosdoshëm për maturantin. Disa nga kërkesat e maturantëve që janë paraqitur më parë në MAS kanë mbërritur edhe tek Komisioneri për të Drejtën kundër Diskriminimit, i cili më pas sërish i ka përcjellë në ministri”, shpjegon Ministria e Arsimit në e-mailin që i përgjigjet interesit të Gazetasi.al për çështjen në fjalë.

LEXO EDHE:
– Eksperti i arsimit, Mehmeti: E drejta e ankimimit minon Maturën Shtetërore
– Maturantët mund të ankohen për notat, ministria u njeh të drejtën e rivlerësimit

Sipas Ministrisë së Arsimit, është gjykuar që kjo është një e drejtë që çdo maturant duhet ta ketë.

“Nëse ka gabim në korrigjimin e testit është e drejtë absolute e maturantëve që testi të rivlerësohet dhe maturanti të marrë notën që meriton”.

Pra vendimi i menjëhershëm nuk ka ardhur si rezultat i ndonjë studimi të mundshëm ku të ishte vlerësuar marzhi i gabimit në korrigjime dhe të shihej me vend rivlerësimi.

Ministria e Arsimit në shpjegimin e mëtejshëm e nxjerr veten zbuluar me vendimin për rivlerësim të padobishëm kur sqaron Gazetasi.al se, “Duam të theksojmë se vetë metodologjia e vlerësimit të testit e përdorur edhe në vitet e kaluara ka qenë e tillë që nuk lejon gabime, pasi testi korrigjohet në mënyrë të pavarur nga dy mësues të ndryshëm dhe nëse ka mospërputhje, nëse ka vlerësime të ndryshme për një pyetje, atëherë ngrihet një komision i tretë që e vlerëson dhe merret vendimi përfundimtar”.

Thënë kjo, kur metodologjia e mëparshme nuk ka rezultuar me gabime në korrigjim, pse Ministria e Arsimit në këto momente merr një vendim të tillë duke minuar besimin te Matura Shtetërore?

Pse Ministria e Arsimit do të kërkojë buxhet shtesë për një proces të panevojshëm, ku Kërkimi Shkencor dhe projekte të tjera në dobi të mësimnxënies nuk kanë fonde të mjaftueshme?


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë