Pasi u betua ditën e premte, kryebashkiaku i ri i Devollit, Eduard Duro është paraqitur në zyrë ditën e sotme. Frika se mos ish-kryetari do të shkonte më herët për t’i zënë zyrën ka bërë që Duro të shkonte që në orën 06:30.
Ndërkohë edhe sot situata vijoj të jetë e tensionuar, pasi mbështetësit e Partisë Demokratike janë mbledhur sërish para bashkisë.
Nga ana tjetër në ambientet e bashkisë ndodhen edhe forca të shumta policie. Efektivët janë të pranishëm në ambientet e jashtë institucionit për të shmangur incidentet.
Vetë kryetari Duro është shprehur se e ka thirrur vetë policinë, pas informacioneve se do të kishte tubim nga opozitarët.
“Një pjesë e punonjësve kanë hyrë në zyrë. Policinë e kam thirrur unë, pasi kisha informacion se do bëhej ky tubim. Po pres që të gjithë punonjësit e tjerë të hyjnë në zyrë. Ish-kryetari nuk pranoi të largohej, ndaj u detyruam të veprojmë kështu”, është shprehur Duro.
Për këtë situatë të rënduar në bashkinë e Devollit ka reaguar edhe kryedemokrati Lulzim Basha.
Sipas Bashës, ky është një uzurpim me dhunë i qeverisjes lokale, kundër vullnetit te popullit.
Me anë të një postimi në rrjetin social “Facebook”, Basha shkruan se ky regjim kriminal e plaçkitës po hyn në rrugën e verbër të përplasjes me popullin e tij.
“Pushteti i paligjshëm i 6% po uzurpon me dhunë qeverisjen lokale, kundër vullnetit të popullit. Ky regjim kriminal dhe plaçkitës po hyn në rrugën e verbër të përplasjes me popullin e tij. Sot hajdutët në pushtet ndjehen të mbrojtur se kanë polici speciale, gaz lotsjellës dhe mercenarë, por nesër do të kenë fatin që meritojnë hajdutët dhe banditët!”, shkruan Basha në “Facebook”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




