Lajme

“Black Hawk” amerikanë për Forcën Ajrore shqiptare

Ministria e Mbrojtjes njoftoi se është firmosur marrëveshja me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes të cilës Forca Ajrore e ushtrisë shqiptare pajiset me helikopterë “Black Hawk”.

Marrëveshja është firmosur gjatë qëndrimit në SHBA të ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka, e cila vizitoi Gardën Kombëtare të Nju Xhersit.

Gjatë kësaj vizite MB thotë se përfundoi marrëveshja dypalëshe mes Departamentin Amerikan të Mbrojtjes dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë për marrjen e disa helikopterëve të tipit “Black Hawk”.

“Mbështetja që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Shqipërisë përmes paketës të suportit, jo vetëm modernizon kapacitetet tona, por rrit edhe gatishmërinë dhe operacionalitetin e Forcës tonë Ajrore”, citohet ministrja Xhaçka.

Në marrëveshje përfshihet edhe trajnimi i ekuipazhit të pilotëve dhe teknikëve të mirëmbajtjes, që do të nisë në muajt e verës. Mirëmbajtjen e mjeteve e ka marrë përsipër Garda Kombëtare e Nju Xhersit.

Në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes, nuk përcaktohet as numri i helikopterëve që do të përfitojë Shqipëria, as kostoja e tyre dhe as detajet e tjera teknike të mjeteve. Ajo që dihet nga deklaratat e mëhershme të ministres Olta Xhaçka është se helikopterët janë të përdorur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë