Biznesmeni, i cili u ezkekutua mbrëmjen e të martës në hyrje të pallatit në Tepelenë, ishte kërcënuar dhe dhunuar disa herë në të shkuarën. Çajup Selimi ishte pronar i disa njësive tregtare në qytetin e vogël në jug të vendit.
Edhe pse fqinjët pohojnë se nuk ishte një njeri problematik, 52-vjeçari ka pasur konflikte që dyshohet të kenë qenë për çështje konkurrence.
Rreth tre vite më parë, ai është paraqitur në Spitalin e Gjirokastrës si pasojë e plagëve të marra, pasi është goditur me mjete të forta nga 2 persona në qendër të qytetit.
Nga spitali, ai tregonte se si ndodhi ngjarja, ndërsa pranonte se kjo ishte hera e katërt që kërcënohej me jetë. Biznesmeni akuzonte shtetin dhe policinë, që sipas tij mbrojnë autorët që e goditën me mjete të forta.
“Pse rri ti përballë punës tënde, unë jam biznesmen, mos rri ti atje se duam ne… Erdhën dhe më qëlluan direkt para një lokali, më qëlluan me leva, me nxorën thika, më kërcënuan me jetë. Është e katërta herë që më kërcënojnë me jetë dhe i mbron ish-shefi i komisariatit Tepelenë, – thotë ai në një video të publikuar nga TCH. – Nuk e di ç’lidhje kanë, punojnë bashkë ata, me se punojnë nuk e di, punojnë me të zezë. Është hera e 4 që po kërcënohem dhe shteti nuk vë dorë se janë të shtetit, ne jemi shteti thonë ata. Për mua nuk vlejnë taksat, vetëm taksat e atyre vlejnë. Domethënë unë jam jashtë, duhet të vdes unë, ata po më kërcënojnë që unë mos të rri as në biznesin tim. Partizan do dal tani unë, ata kanë shtetin”.
Çajup Selimi ndodhej në banesën e tij në një pallat në lagjen “15 shtatori” në Tepelenë pak para vrasjes. Dyshohet se ai është thirrur nga një person në katin e parë të banesës për të zbritur poshtë. Në këtë moment, 52-vjeçari ka dalë nga banesa, por një person tjetër po e priste me armë në katin e dytë.
Ai e qëlluar 2 herë me pistoletë, ku një prej plumbave e ka kapur në zemër duke rezultuar fatal për të. Më pas autorët janë larguar nga vendi i ngjarjes. Dyshohet se viktima njihej me personin që e ka thirrur për ta takuar poshtë pallatit.
Selimi ishte pronar i një biznesi në qytet, ku tregtonte miell, materiale ndërtimi dhe artikuj të tjerë të ndryshëm. Policia ka shoqëruar rreth dhjetë persona që do të pyeten në lidhje me vrasjen e tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.