Biznes

Biznesi i trembet koronavirusit, por ende nuk i di pasojat financiare

Biznesi i trembet koronavirusit, por ende nuk i ka të qarta pasojat financiare

Drejtuesit e financave në kompanitë ndërkombëtare po marrin masa për të mbrojtur punonjësit dhe klientët e tyre kundër virusit që erdhi nga Kina, por thonë se është shumë herët për të treguar cilat janë implikimet financiare që mund të ketë për bizneset e tyre.

Sipas analistëve të “Moody’s Investors Service”, kompanitë përgjatë një game të gjerë industrish, si psh. të turizmit, argëtimit dhe produkteve të konsumit, mund të ndikohen negativisht nga përhapja e vazhdueshme e virusit, me origjinë në Wuhan por që tani është përhapur dhe në shtete të tjera, përfshirë këtu ShBA-në.

“Frika nga infektimi mund të zvogëlojë kërkesën e konsumatorëve si dhe të ndikojë në turizëm, udhëtim, tregti e shërbime në vendet e prekura,” thotë Atsi Sheth, drejtor në departamentin e menaxhimit të Moody-t.

Aksionet e disa kompanive të udhëtimit, kazinove dhe hotelerive, kanë marrë një goditje, si dhe më shumë biznese pritet të raportojnë efekte të ngjashme nëse virusi vazhdon e përhapet, thonë analistët.

Costa Cruises, një degë e “Miami-Carnival”, tha se ka anuluar katër lundrime turistike, por nuk pranoi të komentojë se sa do i kushtonin këto anulime.

“PerkinElmer”, një kompani e testimit dhe diagnostifikimit me bazë në Waltham, të Massachusetts, tha se me shumë mundësi parashikon një efekt negativ në disa biznese franchise të tij, kjo pasi pacientët në Kinë mund të shmangin vajtjen në spitale apo qendra shëndetësore për testime imunologjie apo sëmundje infektive.

Drejtuesit ekzekutivë kanë marra masa të ndryshme ndaj virusit.

“Kraft Heinz”, gjigandi i mallrave të konsumit, këtë të hënë nxori një plan që ndalon udhëtimet e punonjësve për në dhe nga Kina, sipas zëdhënësit Michael Mullen. “Kjo do të ndihmojë në zvogëlimin e rrezikut të ekspozimit ose transmetimit të virusit dhe është masa më e kujdesshme që mund të marrim ndërsa ne vazhdojmë të monitorojmë nga afër situatën në Kinë”, shton z. Mullen

“Honeywell International” tregon se ka kufizuar udhëtimet në zonat e prekura nga virusi. Gjithashtu e prodhuesit e automjeteve, përfshirë këtu “Ford Motor” dhe “Fiat Chrysler Automobiles NV”, kanë ndërmarrë udhëtime të kufizuara.

“Starbucks”, “McDonald’s” dhe “Yum China Holdings” kanë mbyllur përkohësisht dyqanet në Kinë.  Starbucks, sipas një njoftimi të ditës së djeshme, shprehet se nuk është në gjendje të vlerësojë efektin financiar të biznesit të saj në Kinë.

Ford tregon që ende po vlerëson kostot e zgjatjes së festës së Vitit të Ri Hënor, i cili është shtyrë deri në fillim të shkurtit. Në mënyrë të ngjashme janë shprehur e shumë kompani të tjera të huaja me operacione në Kinë, si psh. prodhuesi Gjerman i kimikateve BASF SE I cili thotë se është shumë herët për të vlerësuar goditjet e mundshme të biznesit nga përhapja e virusit.

Kompanitë kanë porositur punonjësit të punojnë nga shtëpia deri në mbarim të festës së Vitit të Ri Hënor. Kompania Gjermane e programeve kompjuterikë “SAP SE” u dha maska punonjësve dhe u kërkoi që të punojnë nga shtëpia deri më 10 shkurt, sipas shefit të zyrës ndërlidhëse në Kinë.

Firma juridike “CMS China” anuloi takimet dhe kërkoi nga punonjësit e saj që të punojnë nga shtëpia gjer në mbarim të pushimeve të pranverës, sipas Ulrike Glueck, drejtues i zyrës së menaxhimit në Shanghai.

Filiali i bankave “Standard Chartered”, me qendër në SHBA, thotë se po i trajnon punonjësit e saj t’i pastrojnë mirë zyrat e tyre, t’i njohin simptomat e virusit, si dhe po i’u shpërndan maska e sapunë të lëngshëm duarsh, shprehet Jonathan Tracey, zëdhënësi i kompanisë.

“Petrofer Chemie H.R. Fischer”, një kompani gjermane e kimikateve me operacione në Kinë, thotë që përhapja e virusit mund të sjellë pengesa në linjat e furnizimit të tij, si në lidhje me lëndët e para ashtu edhe me produktet e përfunduara. “Do të kemi probleme, por është shumë herët për të treguar se çfarë ndikimi financiar do të kemi,” pohon në një intervistë, drejtori i menaxhimit Kostandin Fischer.

Përkthyer nga Wall Street Jorunal


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë