Bizneset e mëdha që nuk aplikojnë që punonjësit e tyre të përfitojnë pagën e luftës do të gjobiten. Paralajmërimi është dhënë nga Kryeministri Edi Rama.
“Sot ne do të miratojmë një gjobë kuptimplotë për subjektet e biznesit të madh, që tradhtojnë me këtë papërgjegjshmëri të plotë sociale punonjësit e tyre, duke mos marrë mundimin që të bëjnë as një aplikim 3 minuta në emër të kompanisë për ta”, shkroi Rama në Facebook.
Gjoba do të vendoset për çdo punonjës për të cilin nuk është bërë aplikimi për të përfituar pagën e luftës. Kjo do të thotë se sa më i lartë të jetë numri i punonjësve për të cilët një subjekt i biznesit të madh nuk ka bërë aplikimin, aq më e madhe është edhe gjoba.
Kryeministri e njoftoi këtë vendim pasi tha se në kanalet e komunikimit në distancë kishte marrë një numër të madh ankesash nga individë të punësuar në biznesin e madh që përfitonin nga paketa e zgjeruar e ndihmës financiare.
“Me plot të drejtë ankohen se punëdhënësit e tyre (disa subjekte në kategorinë biznes i madh), nuk aplikojnë për ta dhe kësisoj ata nuk po e marrin dot ende Pagesën 40 mijë Lek! Bëhet fjalë për punonjës të larguar nga puna deri në datën 10 prill, të cilëve një numër jo i madh, po as i vogël punëdhënësish, u kanë kthyer kurrizin”, deklaroi ai.
Rama tha se këtë javë vazhdon shpërndarja e ndihmës financiare dhe lëvrimi i këstit të dytë të paagës së luftës, si edhe ndihmës ekonomike dyfish.
“Po vijojmë të asistojmë rreth 3 mijë individë që nuk kanë aplikuar për Pagën e Luftës, si edhe një numër individësh të tjerë, të cilëve u është miratuar, por ende jo lëvruar paga për shkak të pasaktësisë në aplikime, ku nuk kanë njoftuar kodet e duhura bankare”, vijon Kryeministri, duke shtuar se askush nuk do të mbetet pa marrë atë që i takon, jo vetëm sipas së drejtës ligjore, por edhe së drejtës zakonore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.