Treguesi i ndjesisë ekonomike shënoi një tjetër rënie në tetor, me 2 pikë, ndikuar nga rënia e besimit në të gjithë sektorët e biznesit. Por besimi i konsumatorëve pati rritje të lehtë.
Treguesi i besimit në industri ra me 4.8 pikë përqindje në tetor, ndikuar nga rënia e prodhimit aktual dhe kërkesës. Po ashtu, pritjet e bizneseve për prodhimin dhe punësimin në të ardhmen janë në rritje dhe ato për çmimet e pritura janë në rënie.
Treguesi i besimit në ndërtim ra me 7.2 pikë përqindje për shkak të përkeqësimit të balancave për aktivitetin ndërtues dhe për kërkesën. Rënie regjistruan edhe pritjet për punësimin, ndërkohë ato për çmimet në të ardhmen shënuan rritje.
Besimi në shërbime ra vetëm me 1.1 pikë përqindje ndikuar nga performanca e dobët e bizneseve. Ndonëse janë përballur me rritje të punësimit aktual, pritjet për të ardhmen janë në rënie. Pritjet për ecurinë e çmimeve të shërbimeve shënuan rritje.
Besimi në tregti ra me 2.6 pikë përqindje nga aktiviteti jo shumë pozitiv. Pritjet për çmimet dhe punësimin në muajt e ardhshëm janë në rritje
Ndërsa besimi konsumator rezultoi lehtësisht i përmirësuar me 0.6 pikë përqindje në muajin tetor. Treguesi pasqyroi vlerësimin më pozitiv të konsumatorëve lidhur me blerjet në shuma të mëdha, si në periudhën aktuale ashtu edhe në të ardhmen. Konsumatorët vlerësojnë me rritje ecurinë aktuale të çmimeve, situatë e cila pritet të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.