Biznes

‘Bizneset optimiste për të ardhmen’. Ministrja Ibrahimaj në kundërshtim me Bankën e Shqipërisë

Nga Gazeta ‘SI’ – Gjatë konferencës së 22 gushtit, ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Delina Ibrahimaj, duke treguar ecurinë pozitive ekonomike të vendit, përmendi dhe kontributin e përgjigjes pozitive të biznesit shqiptar. Përgjigja pozitive, sipas ministres ishte ajo e pritshmërive të bizneseve për të ardhme.

Statistikat e gushtit nuk janë publikuar, sepse muaji nuk ka përfunduar ende, por ato të korrikut e hedhin poshtë deklaratën e ministres Ibrahimaj.

Vrojtimin e Besimit për muajin korrik (publikuar më 8 gusht), të kryer nga Banka e Shqipërisë, të gjithë sektorët e biznesit në vend rezultuan pesimistë për muajt e ardhshëm.

Në anketën e BSH-së, treguesi i besimit ra me 2.5%, në të gjitha kategoritë e tij, industri, shërbime, tregti madje dhe në ndërtim. Banka tregon se asnjëra nga këto biznese nuk pret përmirësim të aktivitetit të tyre apo kërkesë, por rënie.

Besimi në sektorin e shërbimeve, ndonëse në mesin e sezonit turistik, ra me 6.1%, me tregues në përkeqësim të ecurisë së biznesit, kërkesës dhe punësimit për të ardhmen.  

Besimi në bizneset e industrisë ra me 3.2%, me rënie në prodhimin aktual, porositë e kontratave dhe nivelin e punësimit gjithashtu.

Treguesi i besimit ra me 0.5% në bizneset e tregtisë, lidhur përsëri me vlerësimet negative për ecurinë e biznesit në të ardhmen dhe uljen e punësimit.

Gjatë të njëjtës periudhë, rënie të besimit pësoi edhe sektori i ndërtimit, që është shfaqur gjithmonë optimist për kërkesat e të ardhmes. Besimi në ndërtim ra me 1.9%, për shkak të përkeqësimit të aktiviteti ndërtues dhe kërkesës. Dhe ndërtuesit prisnin rënie të punësimit.

Viti 2022, ka luhatur treguesit e besimit si për bizneset edhe për konsumatorëve nga muaji në muaj dhe në mars shënoi rënien më të madhe që nga fillimi i pandemisë, 6.7%. Sipas anketave të deritanishme nga BSH, përgjigjet pozitive nga bizneset dhe konsumatorët, lidhen me pritshmëritë e mëtejshme të rritjes së çmimeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë