Nga Gazeta 'Si'- Kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç gjenden sot në Bruksel për një raund të ri bisedimesh në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.
Megjithatë, nuk është ende e qartë nëse ata do të zhvillojnë edhe takim të përbashkët, apo vetëm veç e veç me zyrtarët e BE-së. Për herë të fundit, ata janë takuar në fillim të korrikut, por pa ndonjë rezultat.
Bislimi e ka akuzuar atëkohë palën serbe se dëshiron vetëm zbatim të pjesshëm të Marrëveshjes Bazë për normalizimin e marrëdhënieve, ndërsa Petkoviç ka thënë se pala kosovare nuk dëshiron ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Marrëveshja Bazë, e cila përfshin edhe obligimin për themelimin e këtij asociacioni, është arritur në shkurt të vitit të kaluar, por nuk ka gjetur zbatim. Sipas burimeve në BE, në takimet e sotme pritet të diskutohen hapat për zbatimin e saj.
Këtyre takimeve u kanë paraprirë udhëtimet e të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, në Prishtinë dhe në Beograd.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.