Gazeta Si – Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Jurgis Çyrbja ka mohuar akuzat e SPAK se ka qenë përdorues i aplikacionit “Sky ECC”, duke komunikuar me persona me rekorde kriminale apo të shpallur në kërkim nga drejtësia.
I pyetur për herë të parë pas arrestimit nga Prokuroria e Posaçme, ish-deputeti ka thënë se nuk ka përkrahur asnjë person në kërkim.
“Nuk kam patur kurrë aplikacion “Sky Ecc” dhe nuk jam unë ai që komunikoj me ata persona. Unë nuk kam përkrahur asnjë person në kërkim, as nuk kam strehuar ndonjë të tillë”, ka deklaruar ish-deputeti.
LEXO EDHE:
– Nga Lita e Zarka te Jurgis Çyrbja / Pas gjyqësorit dhe policisë, ‘Sky ECC’ godet për herë të parë dhe një deputet
– Sekretet e Jurgisit, një profil i paautorizuar i deputetit të arrestuar të Durrësit
– ‘Shiko SHIK-un’!, bisedat në Sky ECC të ish-deputetit Jurgis Çyrbja me persona të inkriminuar: Të kanë ardh nga andej!
Ish-deputeti ka dhënë shpjegime sa i takon veprës penale të “korrupsionit në zgjedhje”, “tregimit të sekretit shtetëror” dhe “përkrahje të autorit të krimit”.
Prokuroria e Posaçme thotë se ish-deputeti është përfshirë në korrupsion zgjedhor pasi duke përkrahur dhe dhënë informacion Altin Hajrit, një të shumë kërkuari për rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës në Kamzë, ka përfituar prej tij vota në zgjedhjet e 2021.
Gjithashtu SPAK ka gjetur komunikime, ku Çyrbja rezulton të ketë dekonspiruar disa operacione të Policisë për kontrolle me qëllim arrestimin e personave në kërkim në qarkun e Durrësit. Ai ra në pranga së bashku me Ahmet Mashën, ndërsa një tjetër u shpall në kërkim.
Përmes aplikacionit SKY ai komunikoi informacion sekret me personazhe kriminalë në Durrës. Pas akuzave për shpërdorim detyre dhe thirrjes në ambientet e SPAK, Çyrbja vendosi që ta linte më parë mandatin e deputetit.
Ish-deputeti do të japë shpjegime se kush e propozoi emrin e tij për deputet dhe në ç’mënyrë i siguroi dokumentet sekrete që ua shpërndante njerëzve të krimit.
Jurgis Çyrbja ndërkohë është marrë I pandehur po nga SPAK për shpërdorim detyrë lidhur me 4 praktika pronash gjatë kohës që drejtonte hipotekën e Durrësit.
Të pandehur për këtë çështje janë marrë edhe ish-kryetari i komunës Rrashbull, Hysen Gashi, si dhe ish-zyrtarët Ervis Mustafa, Qamil Lila, Edlira Çollaku dhe Elda Doçi.
I kallëzuar prej vitit 2021 nga deputeti Edi Paloka, ai këmbënguli se nuk ka shpërdoruar detyrën dhe se nuk kishte kompetenca të kontrollonte praktikat që i delegoheshin nga vartësit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.