Prestigjiozja gjermane “Bild” ka zbardhur një pjesë të përgjimeve të Dosjes 339 që njihet si ajo e shitblerjes së votave ku flitet për zgjedhjet në Qarkun e Durrësit. Një ditë më parë gazetari Piter Tide, paralajmëroi se “Bild” do të publikonte përgjime të reja mes Astrit Avdylajt, kreut të grupit të Shijakut dhe kryebashkiakut aktual të Durrësit, Vangjush Dako, ku përmendet edhe emri i kryeministrit Edi Rama.
Në këto përgjime flitet qartë për blerjen e votave nga banda e Avdylajve një më të rrezikshmet dhe më ndikim në zonën e Shijakut dhe të Durrësit. Në serinë e përgjimeve të “Bild” vihen re qartë bisedat për blerjen e votave ku Astrit Avdylaj shprehet se do ta surprizojë Edi Ramën për të fituar 10 deputetë të PS-së, siç rezulton në përgjimin ndërmjet Arjan Ndraxhit, vëllait të kandidatit për deputet të PS-së, Ilir Ndraxhi, i renditur i katërti në listën e socialistëve për Qarkun e Durrësit. Kontaktet direkte të Astrit Avdylajt janë të drejtpërdrejta; ai flet me Vangjush Dakon, por edhe me kryebashkiakun e Shijakut, Elton Arbana, si edhe me drejtorin e Ujësjellësit.
Ndikimi që ka ushtruar në zgjedhje për blerjen e votave, i ka krijuar atij fuqinë që të urdhërojë nëpërmjet telefonit për të zgjidhur problemet që ka me Hipotekën, apo për të lëshuar kërcënime për të mos vendosur gjoba në bizneset në zonat ku ai ka ndikim në zonën e Fermës së Sukthit, apo për të realizuar punësime në të ardhmen. Pra nisur nga fakti se i kanë mundësuar PS-së sigurimin e sa më shumë votave, tani banda e të paprekshmëve kërkon favore, pse jo edhe duke i kërcënuar nëse prishen ndërtimet.
Nga përgjimet e publikuara, Avdylaj e pyet Dakon se si ia kishte kaluar në takimin që kishte pasur me kryeministrin Edi Rama, duke treguar kështu edhe afërsinë mes tyre.
Astrit Avdylaj dëgjohet tek telefonon Dakon për t’i thënë se ndodhet në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive në Durrës, në praninë e drejtorit të zyrës dhe Vath Allës, një ish i dënuar për vrasje për të ‘mbaruar’ një punë për llogari të Allës.
“Bild” shkruan se kjo telefonatë tregon edhe lidhjen e ngushtë mes Avdylajt dhe kryebashkiakut Dako. Ai më pas i thotë Dakos që të anulojë planet e tij për të udhëtuar në Ishëm, për të siguruar që ‘puna’ që Alla po kërkon, të përfundohet tek zyra e hipotekës nga drejtori që telefonon Anin dhe më pas Dakon për t’u takuar me të dhe më të dënuarin për vrasje, Vath Alla. Në fund të bisedës Dako dëgjohet që pranon dhe vendos të ndryshojë agjendën.
Gjashtë përgjimet e publikuara ë janë pjesë e një dosje zyrtare të mbikëqyrjes gjyqësore të një hetimi kriminal me numër 339/1, të zyrës së prokurorisë së antimafias sa i përke aktivitetit kriminal të një organizate ndërkombëtare të trafikut të drogës, të njohur si klani kriminal ‘Avdylaj’ në qytetin e Shijakut.
"Gjatë muajve të përgjimit, ndodh që në muajt pasues në vend mbahen zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 dhe klani kriminal i Avdylajve përfshihet rëndshëm në blerjen e votave dhe intimidimin e votuesve për llogari dhe në bashkëpunim të ngushtë me zyrtarët e lartë të Partisë Socialiste të kryeministrit Edi Rama, përfshi kryebashkiakun e Durrësit, qytetit të dytë më të madh në Shqipëri,”shkruan gazeta gjermane Bild.
Astrit Avdylaj: A të ka zënë gjumi mbrëmë mo vëlla, se ke takuar Ramën dje, keni ndejtur jeni kënaqur
Vangjush Dako: Ça bone
Astrit Avdylaj: Ça bëhet
Vangjush Dako: Mirë, mirë
Astrit Avdylaj: Nga je vëllai…
Vangjush Dako: Dëgjo
Astrit Avdylaj: Hë vëlla…
Vangjush Dako: Thuaj byrazerit që unë po iki në Ishëm tek ata çunat atje
Astrit Avdylaj: Jo pra tashi se do ta lemë një çik më vonë, se jam këtu me çunat unë (Vath Alla).
Vangjush Dako: Ku je ti?
Astrit Avdylaj: Këtej nga hipoteka me Anin (Ani Dyrmishi, drejtor në Durrës), Ani do vij të takoj një çik drejtorin apo…..?
Vangjush Dako: Ato Allat janë aty apo…?
Astrit Avdylaj: Po Vath Alla është këtu me mu drejtëpërdrejtë, e kam këtu live, përballë në tavolinë, po na dëgjon tashti.
Vangjush Dako: Epo mirë takohemi në Durrës atëherë.
Astrit Avdylaj: Jo do takohemi atje, e kemi lënë orarin atje vëllai, mbaroi. Do takohemi atje nga dreka se s’bën. Le të mbarojmë një çik punë me Anin këtu, po presim Anin, sa të shkojë te bashkia tha ai. Po e pret vëllai këtu te hipoteka.
Vangjush Dako: Mirë, mirë
Astrit Avdylaj: Hajde të du fort vëllai
Në përgjim tregohet se si Avdylaj i telefonon kryebashkiakut të Shijakut për të organizuar një takim me të, me Vangjush Dakon, dhe me një kandidat të mundshëm dhe deputetin aktual ‘Liri’ (Ilir Ndraxhi), një person që klani kriminal i Avdylajve kërkon të vendoset si kandidat i PS.
Shteti u bindet urdhrave të Avdylajve
Në një përgjim tjetër dëgjohet se si zyrtarët e PS u binden urdhrave të Astrit Abvdylajt.
“Astrit Avdylaj, kreu i klanit kriminal ‘Avdylaj’ në Shijak i telefonon kryetarit të PS për Shijakun, Elton Arbana, që është aktualisht kandidat i PS për kryebashkiak në Shijak. Me një ton të irrituar të zërit, ai i telefonon Arbanës dhe i thotë se Inspektorati Shtetëror i Ndërtimit po i vendos gjoba disa njerëzve në Sukth dhe se ai nuk po i telefonon dot Gjushit (Vangjush Dako- kryebashkiak i Durrësit) për t’i kërkuar që të ndalojë kjo, pasi kryebashkiaku i Durrësit është me Edi Ramën në Zvicër në një udhëtim.
“Kur Arbana pretendon se nuk ka autoritetet për shkak se e kanë hequr nga posti në Inspektoratin e Ndërtimit, bosi i krimit, Avdylaj këkon që ai t’u telefonojë inspektorëve, të ndalojnë gjobën, të kërkojnë ndjesë, përndryshe do e bëjë vetë. Në fund, kreu i PS në Shijak pranon dhe i thotë Astrit Avdylajt se ai do i telefonojë dhe do u thotë të kujdesen për ‘problemin’,” shkruan Bild.
Elton Arbana: Astrito?
Astrit Avdylaj: Si ja çove?
Elton Arbana: Ça bone, si ja kalove?
Astrit Avdylaj: Mirë si jeni?
Elton Arbana: Mirë, ça bëhet, si ke qenë?
Astrit Avdyli: Vallai mirë.. ti?
Elton Arbana: Hajt mo mirë, ja tu lujt letra me çunat këtu.
Astrit Avdylaj: A e di ku isha apo jo?
Elton Arbana: Urdhëro…
Astrit Avdylaj: A e njef atë të INUK-t, atë drejtorin ti?
Elton Arbana: E njof mo, Dallëndyshen?
Astrit Avdylaj: Ore lëre Dallëndyshen, këtë të Durrësit, ça është ky i Durrësit, Artur…
Elton Arbana: Artur Çela, i bashkisë
Astrit Avdylaj: Eeee.
Elton Arbana: Po e njof.
Astrit Avdylaj: I kujt bashkie është ky, i Shijakut?
Elton Arbana: Jo jo i Durrësit, i Vangjushit
Astrit Avdylaj: Po s’ka qenë aty Vangjushi se ishte dje me Edin o vëlla… Merre o vëlla edhe thuj o b….. q…., ke shkuar aty tu vënë gjoba në fermë nga 5 milionë lekë o vëlla. Merre tashti, se nuk është Vangjushi këtu.
Elton Arbana: Se mu më kanë heq, u bënë 4 ditë. Ta marr në telefon, te kush?
Astrit Avdylaj: Ore ka shkuar në Fermë të Sukthit, ka shku tu vënë gjoba. Se nuk është Gjushi këtu, ështe me Edin në Zvicër, a më kupton? Se s’kam me ça ashtu
Elton Arbana: S’ka ndonjë emër konkret? Ke ndonjë emër?
Astrit Avdylaj: Kujt konkret?
Elton Arbana: Domethënë kujt i ka vënë, që ti them i ke vënë këtij personi
Astrit Avdylaj: Thuj i ke vënë atij në fermë thuaj dhe ke bërë gabim edhe kthej gjobat thuaj, mos vej gjoba thuaj. Se nuk është Gjushi aty…. a më kupton?
Elton Arbana: Ja ta marr tani direkt
Astrit Avdylaj: Edhe tu bë gabim thuj, or pis thuj. S’du me e marr vet në telefon.
Elton Arbana: E marr unë, e marr unë. Po e more vesh që para 1 jave që më hoqën.
Astrit Avdylaj: Unë nuk e di o vëlla. Kush, kur si qysh tek?
Elton Arbana: Më hoqën pra. Unë isha tek INUK edhe ndërhyna për këto gjëra, edhe më shkarkuan.
Astrit Avdylaj: Unë nuk e di, por ma lajmëro një çik këtë. Thuj që ke bërë gabim që ke shkuar aty në fermë, se është Vangjushi sot me Edi Ramën në Zvicër dhe unë s’kam ku me e ashtu…
Elton Arbana: E marr unë direkt tashti
Astrit Avdylaj: Mirë pra faleminderit.
Avdylaj vendos për kandidatët në listën e PS
“Takimi organizohet që të finalizohet një marrëveshje që Ilir Ndraxhi do të vendoset si kandidat i PS në Durrës, për të përfaqësuar interesat e klanit kriminal Avdylaj dhe klani Avdylaj do të ofrojë mbështetje të plotë për fushatën e PS në Durrës”, shkruan Bild.
Astrit Avdylaj: Alo!
Kryebashkiaku i Shijakut: Hë mo!
Astrit Avdylaj: Si je kryetar?
Kryebashkiaku i Shijakut: Si ke qenë?
Astrit Avdylaj: Mirë faleminderit, ça po bën?
Kryebashkiaku i Shijakut: Jam akoma këtej, sa kemi mbaru dhe po hamë drekë.
Astrit Avdylaj: Të bëftë mirë! A e di pse të mora unë?
Kryebashkiaku i Shijakut: Po?
Astrit Avdylaj: Nesër kemi një takim në orën 10 të mëngjesit…alo?
Kryebashkiaku i Shijakut: Po, po, të dëgjoj, po.
Astrit Avdylaj: Unë, ti, Gjushi, Liri, vllai i Lirit dhe Jupi. Do pim një kafe nesër në Durrës në orën 10:00. Prandaj të mora sot me një fjalë.
Kryebashkiaku i Shijakut: Atëhere, nesër në 10:00 do jemi 5 minuta te Pallati i Kulturës, se ka vdek Niko Bespalla, ish-futbollisti jonë, shijaksi jonë. Është ceremonia te Pallati i Kulturës dhe takohemi atje.
Astrit Avdylaj: Do takohemi në një kafe, do sjell Paparitin, që të jemi nesër që…më kupton?
Kryebashkiaku u Shijakut: Pa merak pa merak.
Astrit Avdylaj: Se erdhën sot ato, po diskutonim, ishte dhe Juli…e kupton ku e kam fjalën? Ngaqë është edhe ai, që të jesh edhe ti normal, po nuk ishe ti, a më kupton?
Kryebashkiaku i Shijakut: E kuptoj!
Astrit Avdylaj: Alo, ça the?
Kryebashkiaku i Shijakut: Titi, pa merak them, atje në Durrës rri pa merak, se do jem dhe në ceremoni kshu që rri pa merak.
Astrit Avdylaj: Mirë, prandaj, që do ashtu që të jesj edhe ti me këto më kupton?
Kryebashkiaku i Shijakut: Po po!
Astrit Avdylaj: Mirë faleminderit!
Kryebashkiaku i Shijakut: Hajt ciao ciao!
Në telefonatë tjetër Astrit Avdylaj i telefonon Ivo Doçin, drejtor i kompanisë së ujësjellësit dhe kanalizimeve në qytetin e Durrësit dhe i kërkon që të mbledhë votuesit e opozitës së partisë Demokratike që janë të punësuar në ndërmarrjen e Ujësjellësit dhe të Kanalizimeve dhe t’i bindë që të votojnë për PS-në ose të humbin punët.
Avdylaj kërcënon votuesit te Ujësjellësi
“Toni i nënshtruar i drejtorit të Kompanisë së Ujësjellësit dhe Kanalizimeve ndaj bosit të krimit, Astrit Avdylaj është një tregues i fuqisë që ka ai dhe se sa përgjegjës është ai për ‘përpjekjet e fushatës’,” shkruan gazeta gjermane “Bild”
Astrit Avdylaj: Mirëmbrëma, Astriti jam.
Drejtor i Ujësjellësit në Durrës: Astrito si ja çove, si je, ça bën ti?
Astrit Avdylaj: Mirë faleminderit, ju mirë?
Drejtor i Ujësjellësit në Durrës: Mirë rrofsh, ja sa erdha në shtëpi.
Astrit Avdylaj: Dëgjo tashti, unë isha një çik sot te ai në Durrës (Vangjush Dako). Jam këtu me Elton Arbanën dhe me Dor Gallarin, edhe nesër kur të kesh kohë ti, du me fol një çik, tu pa listën, ça ke aty punonjës, edhe kundra që mund ti kesh të PD-së aty, ndonjë aty te puna.
Drejtor i Ujësjellësit në Durrës: E kuptoj.
Astrit Avdylaj: I du të gjithë ata emra që mund të kesh kundra.
Drejtor i Ujësjellësit në Durrës: I kam nda unë, i ke të ndarë komplet.
Astrit Avdylaj: A ashtu, këtë kërkoj unë.
Drejtor i Ujësjellësit në Durrës: I kam bërë para unë, kshu që i ke gati
Astrit Avdylaj: Eee ashtu. Kur të kesh kohë, se duhet me i thirr atyre që ti tundim nga një çik.
Drejtor i Ujësjellësit në Durrës: E kuptoj, s’bëhet fjalë fare.
Astrit Avdylaj: O te puna, o të na japin votën, ose të ikin te shpija.
Drejtor i Ujësjellësit në Durrës: As bëhet fjalë fare.
Astrit Avdylaj: Kupton?
Drejtor i Ujësjellësit në Durrës: I ke të ndarë, i kam bërë gati të gjitha. Edhe kush ka hyrë në punë, edhe kush ka qenë, i kam ndarë të gjitha komplet. I kam kshu me kompjuter të punume.
Astrit Avdylaj: Ok du të mi qethësh me një fjalë edhe.. a më kupton?
Drejtor i Ujësjellësit në Durrës: Patjetër. Të bëj unë telefon nesër.
Astrit Avdylaj: Mirë vëlla, natën e mirë, na fal për…
Drejtor i Ujësjellësit në Durrës: Ça thu mo.. çfarë na fal, i madhe je
Astrit Avdylaj: Hajt natën e mirë vëlla.
"T'i japim Ramës një fitore 10 me 0 që të habitet"
Në një tjetër përgjim, Astrit Avdylaj dëgjohet teksa telefon Arjan Ndraxhin, vëllain e kandidatit socialist Ilir Ndraxhi, të cilit i premton një fitore 10-0 për kryeministrin Edi Rama.
Ndranxhi: Tito, të rujt zoti
Avdylaj: Si je, ç’kemi?
Ndranxhi: Mirë
Avdylaj: Ça bohet?
Ndranxhi: Hic o mirë, ja ktu, me cunin, si jeni?
Avdylaj: Asgjë vllai, mirë mo kalojmë vllai, të mora për të pyet a e kanë thirrë gjë, a ndonjë gjë, a akoma?
Ndranxhi: Për ku?
Avdylaj: A i kanë bërë ndonjë thirrje, ndonjë gjë vllait apo jo?
Ndranxhi: Jo mo, ai thotë që do takohen. Ai tha, Juli ka folur dhe do takohen nesër. E mori në telefon mbrëmë dhe i tha do takohen me Ridin, Astritin dhe Julin.
Avdylaj: Po
Ndranxhi: Edhe pastaj do takohen me atë. Po me Gjushin në fakt do takoheshin për punë pune, si nga ana e punës…
Avdylaj: Ehe, ok, ok, ja unë po pres më një fjalë, ja nesër, pasnesër. Ai (Doko) më tha mua . Unë, ne me një fjalë e kena në xhep, si me thënë a e kupton vllain tat?
Ndranxhi: Po, po,
Avdylaj: Ne po presim, ai më tha mua, deri më 25, ishte edhe Eltoni(Arbana) aty, Eltonin e vuni, o të 10 o të 11 i tha Eltonit,
Ndranxhi: Arbanës e? Epo mirë
E kam shumë shumë dhe duhet të jemi shumë të nderuar edhe nga ai siper (Edi Rama) që duhet të na shofi me një kështu…
Vëllai i deputetit të PS Ndraxhi: Po, e vërtetë
Astrit Avdylaj: Do të jap një 10 me 0 (fitore) që edhe ai vetë të habitet (Edi Rama)
Vëllai i deputetit të PS Ndraxhi: Bëji telefon Julit, mos shkoni të pini kafe atje te puna.
Astrit Avdylaj: Mirë, rrob zoti
Vëllai i deputetit të PS Ndraxhi: Ti e ke numrin e Julit
Astrit Avdylaj: Po e kem, a se e bëj vetë pa merak
Vëllai i deputetit të PS Ndraxhi: Shumë faleminderit
Astrit Avdylaj: Asgjë
Vëllai i deputetit të PS Ndraxhi: Mirupafshim
Si Astrit Avdylaj blinte vota
Në një telefonatë tjetër, kreu i grupit kriminal të Shijakut, Astrit Avdylaj dëgjohet teksa flet për pazare për shitblerje vote me një votues. Në këtë përgjim përmendet edhe emri i Agron Dukës, kandidat për deputet në listat e PD-së, aktualisht kryetar i Partisë Agrare.
Avdylaj: Si ia cove?
Votues: A je mirë?
Avdylaj: Si je
Votues: Mirë vllai
Avdylaj: A po më njeh? Ti nuk më njeh mu, por kur thotë do ta jap votën tani nuk e njeh as telefonin
Votues: Oooo shef Astriti
Avdylaj: Heee, ca bone?
Votues: A je mirë? Je i mirë për zotin
Avdylaj: Rrofsh edhe ti. Të kam marrë për votën, e din vetë me një fjalë, që mos ti fusi njoni, o Gon Duka, mos ti fusi me një fjalë…(dëgjohen zhurma në sfond). Ne jena për PS, për Ilir Ndranxhin.
Votues: Unë me të thënë…
Avdylaj: Rrofsh, kur do ta pimë një kafe
Votues: Kur të dush ere, dëgjo, jo vetëm me ty, me Niçen, me Çimin, unë me ju kam qenë përherë
Avdylaj: Faleminderit shumë
Votues: Nuk bohet fjalë njëherë
Avdylaj: Edhe desha me fol cik edhe me vëllain tat, me Jarin
Votues: Me Jarin?
Avdylaj: Po
Votues: Po, i them unë
Avdylaj: Desha me fol cik dhe me Jarin, po edhe do folim, e kupto vetë ti, se kafja osht. Kur je kohë që ta pishim një kafe
Votues: Kur të dush
Avdylaj: Unë në shpi jam, nëse do
Votues: Mirë vlla
SHKRIMI I PLOTE I PUBLIKUAR SOT NGA GAZETA GJERMANE BILD
Ja se si mafia manipulon zgjedhjet në Shqipëri
Nga Peter Tiede
A lejohet të hyjë në BE ky vend? Shqipëria e dëshiron, Brukseli nuk ka gjë kundër- dhe Gjermania e mbështet në parim çeljen e negociatave të pranimit me shtetin ballkanik, duke i dëshmuar atij përparim të madh në demokratizim.
Por në të vërtetë, vendi po zhytet në kaos, gjendet në udhëkryq: ose në rrugën drejt kushteve demokratike- ose përfundimisht si republikë e mafies.
Shqipëria- ky bastion i drogës në Europë!
Protesta masive çdo javë, policë dhe prokurorë që largohen nga vendi, një udhëheqje e korruptuar policore, pa Gjykatë Kushtetuese, pa Gjykatë të Lartë funksionale- Shqipëria është në një krizë të madhe, pavarësisht disa përparimeve në turizëm.
Një nga arsyet, që i ka nxjerrë masat në rrugë: akuzat se qeveria e kryeministrit Edi Rama ka blerë votat në mënyrë masive- me ndihmën dhe paratë e mafias së drogës, që dominon vendin. Që kur Edi Rama mori detyrën, kultivimi i marihuanës është përhapur në të gjithë vendin- duke u bërë industria kryesore e vendit përveç trafikut të drogës.
Dhe paratë e drogës po qeverisin vendin!
Kur ‘Bild’ raportoi para pak kohësh për një transkriptim të përgjuar, në të cilin kryeministri Edi Rama e pyet një zyrtar vendor të zgjedhjeve, nëse gjërat kanë shkuar ashtu siç ishte rregulluar, qeveria u zemërua: ‘Bild’ është një gazetë e blerë, pretendimet (që në fakt bazohen në dokumentet e hetuesve shqiptarë dhe të Evropës Perëndimore) janë krejtësisht të pabaza. Edhe hetuesit shqiptarë e konfirmojnë vërtetësinë e telefonatave.
Por tani Bild ju sjell përgjimet telefonike, duke treguar se si përpara zgjedhjeve të vitit 2017, një baron famëkeq i drogës blen votat për Partinë Socialiste të Ramës. Ai siguron që një politikan i caktuar të futet në Parlament. Ne po u tregojmë gjashtë përgjime konkrete.
Përgjimet janë pjesë e një hetimi të policisë shqiptare- të ashtuquajturës ‘Dosja 339/1’. Dokumentet e bollshme u morën nga hetuesit shqiptarë para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017. Dhe që atëherë janë kryesisht të mbyllura në dosje- pjesë të saj nuk mund të fshihen.
Sipas hetuesve, ky është vetëm një fragment ekzemplar nga një tërësi komplekse regjistrimesh, që janë mbledhur gjatë muajve të vitit 2017.
Rasti konkret është vetëm një nga dhjetëra anembanë Shqipërisë. Shumica e tyre – janë akoma nën qilim. Hetuesit që punojnë për këto raste ose janë heshtur, ose kanë ikur jashtë vendit.
Baroni i drogës në fjalë: Mafiozi Astrit Avdylaj- sipas hetuesve kreu i një bande me të paktën 44 persona, që organizon tregtinë ndërkombëtare të drogës (kokainë dhe heroinë) në rajon rreth qytetit port të Durrësit. Ai dhe vëllezërit e drejtojnë bandën nga qyteti i vogël i Shijakut.
Për të ia ka vlejtur përpjekja: disa muaj pas zgjedhjeve ai u arrestua gjatë hetimeve ndërkombëtare së bashku me anëtarët e tjerë të klanit dhe dy vëllezër. Ai vetë është përsëri në liri- thuhet se kishte depresion dhe se qëndrimi në burg për të ishte i pamundur.
Përgjimet tregojnë se si mafia kujdeset që një politikan i caktuar të bëhet kandidat i Partisë Socialiste, shkruan mapo. Më pas ata sigurohen që ky politikan i partisë qeverisës të Ramës të zgjidhet. Në hetime përfshihet: Kryebashkiaku socialist i Durrësit, qytetit të dytë më të madh në Shqipëri.
Në përgjime mund të dëgjosh se si bosi i i mafies bie dakord me politikanët lokalë, me kryebashkiakun e vendlindjes së tij dhe qytetit të madh të Durrësit, që të caktojnë një kandidat për Partinë Socialiste dhe të blejnë dhe organizojnë vota për të. Në një përgjim, Drejtori i Ujësjellësit merr një telefonatë nga mafia e drogës, që të sigurojë që stafi i tij të votojë për Partinë Socialiste të Edi Ramës dhe kandidatët e tyre.
Durrësi dhe qyteti tjetër port i Vlorës janë vendimtarë për mafian: Sipas hetuesve, përmes këtyre porteve në Shqipëri vijnë kokaina dhe heroina. Nga atje, droga- duke përfshirë edhe kanabisin e rritur në të gjithë Shqipërinë- kontrabandohet në Itali dhe në Europën Veriore dhe Qendrore. Fitimet: Gjigande.
Dhe ata duhet të sigurohen. Siç tha ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani për Bild, ekziston një pakt mes politikës dhe mafias në Shqipëri: Politika siguron biznesin, mafia sjell votat; mafia investon paratë e drogës në pasuri të paluajtshme, politikanët bëjnë një sy qorr për pastrimin e parave dhe trafikun e drogës. Dhe në sistemin klanor të Shqipërisë, edhe fermerët e marihuanës, që kultivojnë bimët për bosët, janë votues të lumtur, nëse qeveria u siguron pagën e drogës.
E gjitha kjo nuk është e pazakontë në shumë shtete të Ballkanit, edhe në mesin e paraardhësve të Ramës në Shqipëri- por sistemi i perfeksionua si një program mbarëkombëtar nën Ramën. Dy ish-ministra të Brendshëm janë tashmë të ikur. Të dy ishin të dyshuar si pjesë e bandave të drogës. Aktualisht nën akuzë është ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. Dhe Rama dhe ekipi i tij e kanë mohuar tradicionalisht kërkesën për të bërë testin e drogës përpara zgjedhjeve.
Rama dhe lidhjet e tij me mafien e drogës
Edhe Rama vetë konsiderohet si një njeri me lidhje të ngushta me mafien e drogës: hetuesit perëndimorë dhe opozita shqiptare e akuzojnë atë se ka blerë votat me paratë e drogës.
Regjistrimi i një telefonate duhet ta provojë këtë: Rama i telefonoi më 11 shtator 2016 drejtuesit të një komisioni rajonal zgjedhor, duke e pyetur nëse gjithçka shkoi në zgjedhje ashtu ‘siç ishte diskutuar’. Përgjigja e kreut të komisionit: “Po, shef, siç është diskutuar”.
Ish-ministri i Drejtësisë, Manjani, një profesor i respektuar i ligjit, thotë për Bild: ‘Organizata të ndryshme ndërkombëtare kanë konfirmuar se ka pasur blerje të votave në masë’.
Ish-ministri sheh pas kësaj një projekt të përbashkët të Ramës dhe mafias: ‘Qeveria mbron mafian dhe lejon biznesin e tyre të drogës. Në këmbim, bandat dhe klanet blejnë vota për qeverinë’.
Rama i mohon të gjitha: Duket si viktimë e një komploti. Vetëm se: Këto regjistrime, që i kanë bërë hetuesit e tij, ai nuk mund t’i pastrojë nga kjo botë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.