Gazeta Si – Në fazën e 1/8-ve të Katar 2022 do të jenë japonezët, marokenët dhe australianët. Janë eliminuar emra të mëdhenj, si Gjermania, Belgjika dhe Danimarka. Duhet veçuar edhe kalifikimi i Polonisë dhe SHBA-ve.
Botërori 2022 po kompleton një 16-she gjithmonë e më të paparashikueshme të fazës tjetër. Kanë rënë skuadra big, si Gjermania, Belgjika dhe Danimarka, ndërohë që vazhdojnë rrugën Japonia, Maroku dhe Australia. Polonia doli para Meksikës dhe SHBA-të para Uellsit.

Thuajse çdo grup ka një surprizë. Dhe janë ende në rrezik eliminimi Uruguaji dhe Serbia. Pasoja të Botërorit të parë dimëror në histori?
E fundit në rend kronologjik është Japonia. Kualifikimi i saj ka një vlerë të dyfishtë: jo vetëm kaloi në një grup me Spanjën dhe Gjermaninë, duke eliminuar gjermanët, por mundi ‘Furitë e kuqe” dhe zuri vendin e parë në Grupin E. Është një mrekulli, falë një oganizimi perfekt në planin taktik.
Japonia nuk bëri gjëra të mëdha në lojë, por pati ekuilibër dhe shfrytëzoi në maksimum shanset në sulm. Ka nga ata që mendojnë se Spanja, pasi mësoi humbjen e Kosta Rikës, e uli ritmin për të dalë e dyta dhe për të eliminuar Kroacinë, por edhe me Marokun iberikët nuk do ta kenë shëtitje.

Pikërisht sfida mes magrebianëve dhe Spanjës konsiderohet si një nga më të bukurat e fazës tjetër. Marokut nuk i ka munguar talenti, ndoshta ka pasur probleme disipline taktike dhe kohezioni të grupit. Elementë që trajneri aktual ka ditur t’i fusë mirë në skuadër. Me Ziesh dhe Hakimi, të ndihmuar nga Sabiri dhe Amrabat, Maroku zuri vendin e parë në grupin, ku bënin pjesë edhe Kroacia dhe Belgjika.
Pastaj vjen Australia, skuadra më pak e kuotuar, që ia doli të përsërisë rezultatin historik të 2006-ës, kur u eliminua me një penallti në shtesë nga Italia, që në fund u shpall kampione. Të linte pas Danimarkën nuk ishte aspak e lehtë. Mjafton për të merituar kualifikimin dhe për të sfiduar Argjentinën e Mesit.

Për t’u vlerësuar edhe kualifikimi i Polonisë, që la pas Meksikën. Dhe në fund SHBA-të, që e kanë marrë veten nga mungesa në Rusi 2018. Tani kjo skuadër synon çerekfinalet, që i mungojnë që prej vitit 2002.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



