Arsim

Bien më tej regjistrimet në shkolla. Ekspertët e arsimit: Rezultat i largimeve masive

Nga Anxhela Çelanji – Numri i nxënësve dhe studentëve që ndjekin sistemet arsimore në vend është duke pësuar rënie nga viti në vit.
Sipas të dhënave të INSTAT në vitin shkollor 2021-2022, u regjistruan në arsimin zyrtar 577.869 nxënës dhe studentë, me një ulje prej 2,0 %, krahasuar me vitin shkollor të kaluar.

Sipas ekspertit të arsimit, Ndriçim Mehmeti, regjistrimet në arsimin parauniversitar në rënie, vijnë si rezultat i largimeve masive të shqiptarëve.
“Në klasën e parë në vitin shkollor në të cilin jemi, duhet të ishin fëmijët që kanë lindur në vitin 2015 ose 2014. Në fakt këta mungojnë. Mungesa e lindjeve që merret si justifikim nga qeveria bie poshtë pasi në vitin 2021-2022, kemi më shumë se 72 mijë fëmijë të regjistruar ose 1.5% më shumë se në vitin e kaluar. Pra pruje të fëmijëve ka, por regjistrimet janë të ulëta, duke treguar largimin e populltës dhe për pasojë edhe të fëmijëve”, shpjegon Mehmeti.

Ndriçim Mehmeti

Specifikisht të dhënat tregojnë se në vitin shkollor 2021-2022, u regjistruan në arsimin parauniversitar 453.989 nxënës dhe fëmijë, duke shënuar një ulje prej 2,5 %, krahasuar me vitin e kaluar.
Mehmeti merr si shembull të lindurit prej vitit 2010 e në vazhdim, të cilët duhet të ishin në shkollë, por një pjesë e konsiderueshme janë jashtë vendit së bashku me familjet e tyre.

Por rënia e regjistrimeve në shkollë vijon tashmë prej një kohë e gjatë. Statistikisht ka rreth pesë vite që arsimi përballet me shifra të ulëta regjistrimesh.
Mehmeti shpjegon se arsyeja kryesore mbeten largimet jashtë vendit, braktisja shkollore, pamundësia ekonomike për të vijuar arsimin. “Sipas INSTAT ne kemi shifra të konsiderueshme të populltatës në moshë shkollore që kanë përfunduar vetëm arsimin fillor. Duke iu referuar INSTAT 41.1% e femrave nga mosha 25-39 vjeç janë me arsim fillor dhe tek meshkujt kjo shifër shkon më shumë se 32% për të njëjtën grupmoshë. Kjo tregon një braktisje masive të shkollës, duke qenë se këta qytetar nuk kanë kryer as detyrimin shkollor prej 9 vjetësh”, shton Mehmeti.

Sipas ekspertit, gjithashtu edhe infrastruktura rrugore dhe pamundesia e prindërve për të përballuar kostot e transportit, ka bërë që fëmijët të largohen nga shkolla.
Më tej eksperti shpjegon se duhet të merren masa për të ndryshuar këtë situatë në arsim. Mehmeti shton se duhet një plan veprimi i shoqëruar me mbështetje financiare të fuqishme, me burime njerëzore të kualifikuara, me depolitizim të thellë të arsimit dhe pjesëmarrje më të gjerë të njerëzve që e duan arsimin.

“Fatkeqësisht kjo nuk po ndodh dhe nuk ka për të ndodhur, pasi qeveria nuk ka politika të qarta për mënyrën sesi do të zhvillohet arsimi, ku duhet të mbërrijmë dhe fondet që na nevojiten për këtë qëllim”, përfundon Mehmeti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë