Në 24 orët e fundit u shënuan 13 vdekje në të dy spitalet Covid në Tiranë. Ndryshe nga numri i infektimeve që shihet se ka pësuar një rënie gjatë javës së fundit, numri i vdekjeve përgjatë 10 ditëve të fundit ka filluar të rritet. Tepër shqetësues duket edhe fakti se në spitale ka nisur të rritet edhe numri i pacientëve në gjendje të rëndë. Të dhënat e një dite më parë treguan 189 pacientë të shtruar, rreth 29 prej tyre janë në gjendje të rënduar.

Pavarësisht shifrave deri diku konfuze, mjeku epidemiolog Ilir Alimehmeti shpjegoi për Gazetasi.al se nga momenti i infektimeve deri tek momenti i sëmundshmërisë kalon kohë. Ai i tha Gazetasi.al se impakti i infektimeve spostohet me 2 javë në kohë dhe prandaj po shohim një rritje të vdekjeve në këto kohë.
“Infektimet dhe vdekjet janë dy kurbat të ndara dhe një person i infektuar nuk ndërron jetë sot për nesër, sepse duhet kohë për t’u zhvilluar simptomat dhe për të parë si vijon gjendja. Gjithmonë ka qenë impakti dy javë më vonë, pra vdekjet tani i korrespondojnë infektime të dy javëve më parë. Për mendimin tim uljen e rasteve të vdekjeve do ta shohim në javën e dytë të tetorit nëse rënia e rasteve është e vazhdueshme,” shpjegon Alimehmeti.

Ndërsa mjeku shqiptar në Londër Laidon Shapo ka shpjeguar për Gazetasi.al se rritja e fataliteteve ndërkohë që indikatorët e tjerë pra rastet e reja dhe shtrimet spitalor qëndrojnë stabel ose janë në rënie nuk bën sens!
“Mund të shpjegohet vetëm me faktin e rasteve të rënda të akumuluara në kohë që qëndrojnë më gjatë në spital ose që nuk trajtohen siç duhet. Nuk duhet të harrohet dhe fakti që një pjesë e këtyre fataliteteve ndodhin në grupet vulnerabel që nuk janë vaksinuar, ose janë persona të vaksinuar me një dozë, mbi 65 vjeç dhe me sëmundje bashkëshoqëruese. Varianti Delta këta persona i “skanon” dhe godet më ashpër,” shton Shapo.
Në mbledhjen e Komitetit Teknik të Ekspertëve një javë më parë, mjeku infeksionist Dhimitër Kraja tha se pacientët janë nga të gjitha grup moshat duk nisur nga mosha 19 deri në 89 vjeç.
Sipas Krajas problem ishin pacientet që nuk janë vaksinuar, ku mes tyre kishte edhe shumë gra shtatzëna që paraqiten në forma të rënda. Kraja shpjegoi se ka pasur fatalitete mes personave të vaksinuar, por numri i tyre është shumë i ulët.
“Rreth 5% e rasteve në spital janë të vaksinuar dhe shumica e tyre janë të vaksinuar me një dozë (85%) dhe një pjesë shumë e ulët me dy doza (15%). Në këndvështrimin tonë, fatalitetet tek te vaksinuarit kanë ndodhur për tre arsye; sepse personi nuk ka arritur imunitetin e duhur dhe kjo kryesisht te pacientë që kanë marrë 1 dozë vaksine, sepse kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese të vështira, sepse ka ndikuar faktori gjenetik për mënyrën se si reagon organizmi,” tha Kraja.
Ekspertët e Komitetit Teknik gjithashtu shpjeguan se deri më tani ka rënë incidenca e rasteve tek personat që janë vaksinuar dhe kalojnë sëmundjen është 22 herë më e ulët me atë të rasteve që nuk janë vaksinuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje