Nga Gazeta ‘SI’ – Në katër muajt e parë të vitit 2023, numri i shqiptarëve që kanë kërkuar azil në një vend të BE-së është ulur me rreth 20%. Në janar-prill, në BE u regjistruan 2.510 kërkesa për azil nga shqiptarët.
Tendenca është në rënie krahasuar me të paktën dy vitet e fundit, sipas Eurostat. Më herët, edhe statistikat nga Britania, destinacioni “i preferuar” i shqiptarëve për azil raportoi rënie të tyre. Për tre muajt e parë të vitit, “TheSun” vetëm 29 shqiptarë kanë kaluar Kanalin.
Ndryshe ka ndodhur me Europën, e cila në total ka pasur një rritje të azilkërkuesëve. Sipas Eurostat, në mars 2023, 85.975 aplikantë për azil për herë të parë (shtetas jo të BE-së) aplikuan për mbrojtje ndërkombëtare në vendet e BE-së. Krahasuar me marsin 2022 (74 310), shifra përfaqëson një rritje prej 16%. Kishte gjithashtu 6.945 aplikantë të përsëritur, rritje prej 4% krahasuar me mars 2022 (6 690).
Edhe për 4 muajt e parë të këtij viti, Franca ka vijuar që të mbetet destinacioni i preferuar i azilantëve, me 940 kërkesa gjithsej, ose 37% të totalit. Franca tërheq azilantë për shkak të lehtësive sociale që ofron sidomos për familjet me fëmijë.
Gjermania mbetet e dyta, me 23% të totalit të aplikimeve, e ndjekur nga Italia (23%), Greqia (7.4%) dhe Belgjika (4.2%)
Ashtu si në muajt e mëparshëm, në mars 2023, sirianët ishin grupi më i madh i njerëzve, që kërkonin azil (9 660 aplikantë për herë të parë). Ata u pasuan nga afganët (9 155), venezuelianët (6 415), kolumbianët (5 980) dhe turqit (5 615).
Pas agresionit ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës, pati një rritje të konsiderueshme të azilkërkuesve ukrainas për herë të parë (nga 2 105 në shkurt 2022 në 12 190 në mars 2022), por shifrat janë ulur çdo muaj, në 1 160 në mars 2023. Kjo ka ndodhur sepse njerëzit, që ikin nga Ukraina, përfitojnë nga mbrojtja e përkohshme.
Në mars 2023, 2 620 të mitur të pashoqëruar aplikuan për azil për herë të parë në BE, kryesisht nga Afganistani (860) dhe Siria (565).
Vendet e BE-së, që morën numrin më të madh të kërkesave për azil nga të miturit e pashoqëruar në mars 2023, ishin Gjermania (990), Holanda (260), Italia (230), Spanja (225), Bullgaria (215), Austria (210) dhe Greqia (200).
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



