Nga Gazeta ‘SI’ – Të ardhurat në buxhetin e shtetit u rritën përsëri gjatë shtatorit, duke kapur vlerën e 477.3 mld lekëve. Nga gushti rritja është rreth 50 mld lekë, rritja më e dobët gjatë këtij viti, ndonëse diferenca nuk është shumë e lartë.
Shifra e 9 mujorit ka kaluar edhe parashikimet e qeverisë, me 1.2% si edhe atë të një viti më parë, me 12%.
LEXO EDHE:
– “Krimi” buxhetor i qeverisë
– Ndryshime në buxhet, miliarda lekë shtesë për projekte, rindërtimin dhe fermerët
– Sa e vrau kursin e këmbimit suficiti i ‘ëmbël’ për qeverinë?
Për të njëjtë periudhë edhe shpenzimet kanë parë një rritje të shpejtë, por mbeten poshtë planit të periudhës. Në total u shpenzuan 425.7 mld lekë, rreth 4% më shumë se një vit më parë. Suficiti për të njëjtën periudhë raportohet 51.6 mld lekë, shumë më i lartë nga se pritej dhe nga se ishte një vit më parë.
Të ardhurat
TVSH në import vazhdon të ulë peshën e saj në arkën e shtetit, me një rënie 7% nga një vit më parë, duke arkëtuar 107.7 mld lekë. Gjithsesi, krahasuar me zërat e tjera, mbetet burimi më i madh i parave për shtetin.
Sipas ecurisë, të ardhurat me rritjen më të madhe janë ato nga tatim-fitimi, 32.4% më shumë se një vit më parë, në vlerën 45 mld lekë.
Tatimi mbi të ardhurat personale ka pasur po ashtu rritje pozitive, pothuajse 30% nga një vit më parë, duke mbledhur rreth 44 mld lekë në 9 muaj.
TVSH neto e arkëtuar i solli arkës së shtetit 36 mld lekë, me rritje 26% nga një vit më parë.
Të ardhurat nga akciza janë realizuar në masën 43.1 miliardë lekë, 3 9.5% më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2022.
Të ardhurat nga renta minerare në eksport janë realizuar në vlerën 2.3 mld lekë, 31.2% më pak në raport vjetor.
Rimbursimet për periudhën 9 mujore 2023 janë 14.6 miliardë lekë, 7% më shumë se 9 mujori 2022. Të ardhurat e mbledhura nga kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore (të administruara nga DPT), u realizuan në masën 102.6 miliardë lekë, 17.7% më shumë se 9 mujori 2022.
Taksat nacionale, për periudhën 9 mujore 2023 u realizuan në masën 28 miliardë lekë, 12.1% më pak se e njëjta periudhë e vitit të shkuar.
Shpenzimet
Shpenzimet publike arritën të realizohen në masën 92% të planit për periudhën dhe rreth 4% më i lartë se vjet. Nga shuma totale 425.7 mld lekë të shpenzuara në 9 muaj, vetëm 46 mld janë për investimet kapitale dhe pjesa tjetër janë korrente. Realizimi i dy zërave, për periudhën është në masën 98% korrente dhe 70.8% kapitale.
Por realizimi mbi planin vjetor është 70% për shpenzimet korrente dhe 37.2% për ato kapitale.
Niveli i suficitit për periudhën 9 mujore të vitit 2023 rezultoi në rreth 52 miliardë lekë nga rreth 8.5 miliardë lekë suficit i planifikuar. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, niveli i suficitit rezultonte në masën prej rreth 16.3 miliardë Lekë. Në një muaj ky tregues është rritur me pothuajse 5 mld lekë.
Suficiti i lartë i buxhetit lidhet drejtpërdrejtë me moskryerjen e shpenzimeve kapitale gjatë vitit fiskal, por përqendrimi i tyre në fund të tij. Dy ditë më parë, ministri i ri i Financave, Ervin Mete, njoftoi se qeveria ka miratuar një ndryshim në buxhet ku do të rialokohen disa fonde. Sipas ministrit, ndryshimet përfshijnë 46 mld lekë për përshpejtimin e projekteve, 12 mld lekë për rindërtimin dhe 1.8 mld lekë për skemën e naftës dhe mbështetjen e fermerëve.
Të tjera ndryshime priten deri në mbylljen e vitit buxhetor 2023.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.