Lajme

Bie propozimi për mostatimin e pagave deri në 40 mijë lekë

Mazhoranca ka rrëzuar propozimin e deputetëve socialistë Erion Braçe dhe Blerina Gjylameti për të rritur kufirin e pagave të pa tatueshme nga 300 mijë lekë të vjetra në 400 mijë lekë.

Gjatë mbledhjes nuk kanë munguar debatet e forta mes anëtarëve të komisionit. Por, teksa vendimi duhej marrë në mbledhjen e sotme të komisionit të Ekonomisë, ideja nuk është diskutuar fare, pasi propozimi nuk është marrë parasysh. Mbledhja e paradites u shty për pasdite dhe atë e drejtoi sekretari i Komisionit, Anastas Angjeli.

Braçe u bë pjesë e mbledhjes në mes të seancës, duke votuar disa herë kundër. Deputeti Braçe votoi kundër projektligjit mbi të ardhurat dhe kundër përjashtimit nga TVSH të imputeve bujqësore.

Komisioni i mbylli diskutimet duke votuar në tërësi buxhetin dhe paketën fiskale, të cilat të hënën do të shqyrtohen në seancë plenare.

Partia Demokratike reagoi përmes deputetes Jorida Tabaku, e cila përmes një postimi në Facebook thotë se mbledhja është e paligjshme, pasi sipas Rregullores së Kuvendit, mbledhjet drejtohen vetëm nga kryetarët ose nënkryetarët e komisioneve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë