Nga Gazeta Si- Liam Payne, ish-anëtari i grupit muzikor One Direction, ka humbur jetën pasi ka rënë nga kati i tretë i një hoteli në Buenos Aires të Argjentinës.
31-vjeçari britanik u bë i famshëm në vitin 2010 në spektaklin XFactor, bashkë me Niall Horan, Zayn Malik, Harry Styles dhe Louis Tomlinson.
Ditën e djeshme, në një postim në Snapchat ai tregonte për udhëtimin e tij në Argjentinë, se kishte luajtur polo dhe se priste me padurim të kthehej në shtëpi për të parë qenin.
“Është një ditë e bukur këtu në Argjentinë“, tha ai në një video të postuar disa orë para vdekjes.
Në fillim të këtij muaji Liam Payne kishte marrë pjesë në koncertin e shokut të tij Niall Horan, në Buenos Aires. Payne dhe Horan të dy kanë kënduar për ‘One Direction’.
Ndërkohë, një grup i madh fansash janë mbledhur jashtë hotelit për të mbajtur zi për vdekjen e 31-vjeçarit, duke ndezur qirinj, duke kënduar këngë të One Direction dhe duke mbajtur momente heshtjeje.
Payne me origjiinë nga Wolverhampton në Mbretërinë e Bashkuar, fitoi famë globale kur One Direction u formua në X Factor në 2010.
Ata u bënë grupi më i madh i djemve në botë, përpara se të tërhiqeshin në 2016. Payne publikoi albumin e tij të vetëm solo në 2019.
Mediat argjentinase raportojnë se thirrja e urgjencës erdhi nga një menaxher hoteli, i cili raportoi se një klient ka konsumuar drogë dhe “po shkatërron dhomën”.
Menaxheri thuhet se i tha operatorit se i ftuari “ka një ballkon dhe ne kemi frikë se mund të bëjë diçka për të vënë në rrezik jetën e tij”.
Menjëherë pasi policia mbërriti në vendngjarje, një zhurmë e fortë u dëgjua nga oborri i brendshëm i hotelit, ku më pas oficerët gjetën trupin e Payne.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.