Bota

Biden mbron politikën e jashtme: Putini dështoi, Kina nuk na kalon kurrë, Irani më i dobët

Gazeta Si – Presidenti në largim Joe Biden u përpoq të hënën të përmirësonte pasqyrën e arritjeve lidhur me politikën e jashtme dhe tha se kundërshtarët e Shteteve të Bashkuara janë tani më të dobët se kur ai mori detyrën katër vjet më parë, pavarësisht krizave globale që vazhdojnë të mbeten të pazgjidhura.

Një javë përpara marrjes së detyrës nga Presidenti i zgjedhur Donald Trump, Presidenti Biden iu drejtua diplomatëve amerikanë në Departamentin e Shtetit dhe vlerësoi lart mbështetjen e administratës së tij për Ukrainën dhe për luftërat e Izraelit në Lindjen e Mesme.

Biden tha se Shtetet e Bashkuara “po fitonin konkurrencën botërore” dhe nuk do të tejkaloheshin ekonomikisht nga Kina siç ishte parashikuar, ndërsa Rusia dhe Irani janë dobësuar nga luftërat pa përfshirjen e drejtpërdrejtë të Shteteve të Bashkuara.

Biden tha se kur hyri në Shtëpinë e Bardhë, ekspertët parashikuan se ishte e pashmangshme që Kina të kalonte Shtetet e Bashkuara në aspektin ekonomik. Tani, tha ai, kjo gjë nuk do të ndodhë kurrë.

Presidenti vlerësoi se ekonomia e Shteteve të Bashkuara po përparon, por se ka ende shumë punë për të bërë.

“Krahasuar me katër vjet më parë, Amerika është më e fortë, aleancat tona janë më të forta, kundërshtarët dhe konkurrentët tanë janë më të dobët, – tha presidenti Biden. – Dhe ne nuk kemi shkuar në luftë për t’i bërë të gjitha këto të mundura”.

Biden pranoi se shtetet autoritare Kina, Irani, Koreja e Veriut dhe Rusia tani ishin më të lidhura me njëri-tjetrin, por ai tha se kjo ndodhte më shumë për shkak të “dobësisë se sa forcës”.

“Kur Putini sulmoi Ukrainën, ai mendoi se mund të pushtonte Kievin brenda pak ditësh. E vërteta është se që kur ajo luftë filloi, unë jam i vetmi që qëndrova në qendër të Kievit, jo ai”, tha Biden.

Presidenti Biden mbrojti vendimin e tij për tërheqjen e trupave amerikane nga Afganistani në 2021. “Dhënia fund e luftës ishte gjëja e duhur për t’u bërë dhe unë besoj se historia do ta tregojë këtë”, tha zoti Biden.

Biden tha se ai kishte ndihmuar Izraelin të mposhtte kundërshtarët si Hamasi në Gazë dhe Hezbollahu në Liban, të dy të mbështetur nga Irani. Presidenti i Shteteve të Bashkuara po ashtu përshëndeti mbështetjen e Uashingtonit për Izraelin gjatë dy sulmeve iraniane, në vitin 2024.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë