Menaxhim

Biblioteka e re Kombëtare, dështon faza e parë e projektit: Interes i pamjaftueshëm nga privatët!

Nga Gazeta ‘SI’ – Korporata e Investimeve Shqiptare ka anuluar projektin e Bibliotekës së re Kombëtare për shkak të interesit të pamjaftueshëm.

Godina e re është projektuar në një zonë pranë liqenit Artificial dhe në këmbim zhvilluesi privat do të kompensohet me prona në zonën e njohura si vilat gjermane.  

 “Ky Njoftim ju komunikon vendimin e Korporatës për anulimin e procedurës konkurruese të nisur më 13 Mars 2025 për përzgjedhjen e një Partneri Privat për zbatimin e kontratës “Zhvillimi multi-funksional në rrugën “Gramoz Pashko”, Tiranë (ish-“vilat gjermane”)”, si pjesë e Nën-projektit të Investimit “Godina e re e Bibliotekës Kombëtare”. Arsyeja për anulim është: numri i pamjaftueshëm i aplikimeve të dorëzuara për Fazën I të procedurës konkurruese brenda afatit për dorëzimin e aplikimeve të përcaktuar në Dokumentin e Kualifikimit” thuhet në njoftimin e fundit të anulimit të bashkangjitur në thirrjen tashmë të mbyllur.

Projekti i bibliotekës është pjesë e një nisme të qeverisë për t’i dorëzuar privatëve prona publike me qëllim zhvillimin e tyre. Disa nga pronat e vëna në dispozicion janë Kadastra, ish-ATSH, godina e Aviacionit Civil etj. 

Më herët, në një intervistë për Gazetasi.al zv/ministrja e Kulturës Lira Pipa tha se godina e vjetër në qendër të Tiranës nuk do të preket.

“Nëpërmjet Korporatës Shqiptare të Investimeve është mundësuar një këmbim i pronës publike me kthimin e një investimi. Ajo çfarë do të ndodhë te Vilat Gjermane e cila është sot pronë publike e vendosur për tu rehabilituar dhe zhvilluar në një dimension krejt tjetër ekonomik për qytetin. Konkursi është hapur për zhvillimin e kësaj prone ku shteti ofron pronën publike dhe në këmbim ai që fiton konkursin mundëson ndërtimin e Bibliotekës Kombëtare tek ish Garda, pranë Liqenit Artificial. Kjo do të thotë se do nuk do të harxhohet asnjë lekë nga buxheti i shtetit për ndërtimin e Bibliotekës së re. Pra ne jemi në një bashkëpunim publik -privat ku Korporata Shqiptare e Zhvillimit shërben dhe si ndërmjetësues por edhe si zhvillues mes Bibliotekës Kombëtare dhe partnerit privat” sqaroi zv.ministrja.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë