Lajme

Betohet kreu i ri i Bashkisë Përrenjas, Rira e LSI: Nuk e liroj zyrën

Pas Devollit dhe Kavajës ka rezultuar problematik edhe konstituimi i këshillit në Përrenjas, bashki e drejtuar nga LSI.
Kryebashkiakja Miranda Rira nuk ka pranuar të lirojë zyrën, për pasojë Këshilli bashkiak i Përrenjasit është konstituuar në ambientet e shkollës 9-vjeçare “Qybra Sokoli” dhe është betuar kryetari i ri i dalë nga votimet e 30 qershorit, Nuri Belba.
Miranda Rira e LSI ka deklaruar se nuk do ta lirojë zyrën dhe se do të vazhdojë punën në shërbim të qytetarëve, duke respektuar dekretin e presidentit Meta për zgjedhje më 13 tetor.
“Nuk e liroj zyrën, jam në shërbim të qytetarëve. Jam në zbatim të dekretit të Presidentit të Republikës, që saktëson se zgjedhjet lokale të 2019 do mbahen 13 tetor”, është shprehur Rira.
Në mbështetje të kryetares së Bashkisë së Përrenjasit është dhe sekretari i Përgjithshëm i LSI, Endrit Braimllari.
Kjo është bashkia e parë e LSI që kundërshton kryetarin e ri. Ditën e djeshme u betuan kryebashkiakët e Gjirokastrës, Beratit dhe Cërrikut, të cilët pasonin kryebashkiakë të LSI dhe nuk hasën në kundërshti dhe protesta nga ana e tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë