Lajme

Betohen 4 deputetë të rinj të LSI. Edhe 5 rrjedhje të tjera nga PD e LSI

Katër deputetët e rinj që refuzuan braktisjen e mandatit u betuan sot ne parlament.

Edmond Rrushi, Aurora Mara, Enver Rroshi dhe Ylli Shehu pasi dorëzuan formularin e dekriminalizimit në KQZ, morën prej kësaj të fundit dritën jeshile për të zëvendësuar përkatësisht Endri Braimllarin, Përparim Spahiun, Edmond Haxhinaston dhe Floida Kërpaçin.

Ndërkohë, nga listat e Partisë Demokratike, pas Rudina Hajdarit dhe Myslim Murrizit, që refuzuan dorëzimin e mandatit, rrjedhja e vetme është ajo e Lefter Maliqit, i cili të hënën dorëzoi në KQZ formularin e dekriminalizimit

Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë reaguar në lidhje me këto “devijime” nga aksioni i përbashkët opozitar për të rrëzuar Edi Ramën. Monika Kryemadhi i cilësoi “tradhtarë” që nuk mund të përfaqësojnë as logon dhe as flamurin e partisë, ndërsa Lulzim Basha i quajti kopje të Edi Ramës, që nuk njihen nga ana e opozitës.

“Çdo vendim i këtij Kuvendi ilegjitim është i pavlefshëm. Ne nuk njohim asnjë vendim, apo ligj”, tha Basha ditën e hënë pas një takimi me aleatët në selinë e Partisë Demokratike.

Por, pavarësisht thirrjeve të Bashës dhe Kryemadhit, pesë emra të tjerë nga listat e PD dhe LSI-së kanë dorëzuar formularët e dekriminalizimit në Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Nga listat e LSI, Edlira Hyseni nga Qarku i Durrësit, Ediola Braha, në Qarkun e Gjirokastrës, Elda Hoti, në Lezhë, nga PD, Ligoraq Karamelo, në Korçë dhe Majlinda Halilaj në Tiranë janë emrat që pritet të zëvendësojnë pesë mandate të djegura në këto qarqe.

Përveç betimit të deputetëve të rinj, një tjetër risi e kësaj seance është edhe pjesëmarrja e Kryeministrit Edi Rama. Deri më tani ai u ishte shmangur seancave. Nga mazhoranca është cilësuar si lëvizje për të mos provokuar protestuesit e opozitës, ndërsa nga opozita frikë prej “revoltës popullore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë