Art dhe Kulture

Besnik Mustafaj: Letërsia është si dashuria e fortë, do përkushtim total

Nga Luljeta Nelallari – Besnik Mustafaj është nga ata shkrimtarë që është e vështirë ta ndash emrin e tij nga letërsia shqipe.

Ai gjithherë ka rrëmbyer lexuesit dhe është vlerësuar nga kritika. Por si ka nisur shkrimi për të, si ka ndikuar fëmijëria e rinia në veprat e tij, si pasqyrohet Tropoja në prozën e tij, rëndësia e poezisë sot? Po rruga politike në raport me atë letrare?

Në një intervistë për Gazetën “Si”, Mustafaj jep detaje të rrugëtimit të tij në letrat shqipe. Ai zbulon se idili i tij për letërsinë ka mbizotëruar mbi politikën, pasi siç rrëfen ai “nuk kam gjetur një ekuilibër mes të dyjave”.

Fillimet tuaja në letërsi kanë qenë përmes poezisë, e pikërisht poezive të dashurisë. Pse zgjidhet gjithmonë nga një poet tema e dashurisë?

E para do të thosha që unë kur kam filluar të shkruaj nuk besoja që isha poet. Janë shprehje spontane të një adoleshenti, gjimnazist, i cili bie në dashuri si shumica e gjimnazistëve dhe shkruan vjersha me shpresën se do t’i pëlqejë e dashura e tij. Pra nuk duhet që të fillojë si një bindje apo vokacion që po fillon t’i kushtohesh një gjëje. Pse për dashurinë sepse në atë moshë për çfarë do shkruash tjetër. Nuk besoj që një gjimnazist shkruan për gjë tjetër përveçse për dashurinë. N.q.s shkruan për gjë tjetër, atëherë është pak hipokrit.

Gjurmët e fëmijërisë e rinisë janë në përgjithësi një thesar për shkrimtarët, sa vend zënë kujtimet e fëmijërisë suaj në rrëfimet tuaja?

Gjurmët e fëmijërisë kanë ndikuar si tek të gjithë të tjerët. Në përgjithësi, shkrimtari shpreh përvojën e tij dhe në përvojë shpreh ato aspekte që janë më të forta, më rezistente dhe duke qenë më rezistente janë dhe më universale. Deri në moshën 14 vjeç kam jetuar në Tropojë. Tropoja është prezente në prozën time dhe në poezinë time, edhe në krijime të veçanta, që i kam poezi në shtëpinë e babait, në vendlindje, por edhe si atmosferë. Në prozën time është shumë më tepër i pranishëm mali sesa fusha apo deti. Pra gjithë këto përshtypjet e kësaj fëmijërie përkthehen në radhë të parë në dekor të prozës sime. Nuk mund t’i vendos personazhet në një dekor që nuk e njoh.

Ju keni mbajtur postin e Ambasadorit të Shqipërisë në Francë, si ka ndikuar kultura franceze në shkrim?

Ka ndikuar shumë kultura franceze. Por njohja ime me kulturën franceze dhe gjurmët që ka lënë kultura franceze në formimin tim në përgjithësi nuk fillojnë me vajtjen me Francë, unë e kam bërë shkollën e mesme dhe universitetin për Gjuhë dhe Letërsi frënge, pra kontakti me letërsinë franceze, atë klasike është që në moshën 14-15 vjeç. Unë besoj që një frymë antikonformiste e kam nga letërsia franceze. Pastaj është shumë e vështirë të dallosh si të thuash atë hartën e ndikimeve kulturore kur je në moshën time sepse shkrihen të gjitha në një.

U shpallët autori më i mirë i vitit 2019 me romanin “Dëmtuar gjatë rrugës”. Sa i rëndësishëm ishte ky çmim?

Ky çmim pati një gjë të rëndësishme për mua si autor se iu bë një jehonë e tillë që shumë veta e kërkuan. Pra, ai libër në njëfarë mënyre u bë një lloj bestselleri edhe në sajë të këtij çmimi. Pra, unë besoj se ky çmim në rastin tim ia arriti qëllimit për të çuar librin te sa më shumë lexues. 

Për herë të parë, Shqipëria do të shpallë Poetin Laureat ku ju jeni kryetar jurie. Çfarë është kjo ngjarje për ju?

Unë besoj që ishte një nismë shumë e mirë e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, për t’ju bashkuar një praktike që ekziston në shumë vende, ku një institucion shpall Poetin Laureat. Në Amerikë zgjidhet nga Biblioteka e Kongresit. Poeti Laureat në periudhën që mban këtë status, është edhe një promotor i poezisë shqipe. Por, ne ndryshe nga shumë vende i kemi dhënë këtij çmimi edhe një lloj rëndësie, një lloj kurorëzimi të veprës që ka shkruar deri më tani poeti, sepse doemos që do ta marrë një poet që vazhdon të shkruajë dhe njëkohësisht që ka një vepër mbrapa.

Veprat tuaja janë botuar edhe në gjuhë të huaja. Si i shihni botuesit e huaj në raport me botuesit shqiptarë?

Librat e mi në shqip botohen te shtëpia botuese “Toena”, që është një botues shumë i mirë. Marrëdhëniet e autorit me botuesin janë marrëdhënie profesionale. Unë shumicën e botuesve jashtë nuk i njoh, kemi bërë kontrata nëpërmjet agjentit letrar. Mua më pëlqen kur i njoh botuesit e mi jashtë, por edhe kur nuk i njoh unë shoh produktin. Ne e njohim njëri-tjetrin edhe kur nuk jemi takuar kurrë.  

Shkrimtar e njëkohësisht politikan, si ka qenë kjo marrëdhënie përgjatë viteve. A mendoni se politika ju ka “njollosur” penën?

Unë kam kaluar 20 vjet në politikë, në politikë aktive dhe nivele të larta, çka do të thotë se koha që më ka marrë politika ka qenë shumë e madhe. Pikërisht koha është fusha ku letërsia dhe politika kanë qenë në konflikt të hapur, sepse secila e donte kohën për vete. Dhe unë kur nuk arrita më të gjej asnjë ekuilibër mes këtyre të dyjave, lashë politikën për t’iu përkushtuar letërsisë. Unë nuk mendoj që letërsia profesioniste mund të shkruhet në dy orë të lira, letërsia është si dashuria e fortë, do përkushtim total mendor, ke nevojë për parakohën e shkrimit që ti mendon për të shkruar diçka. Nuk mendoj që politika ma ka njollosur penën, për këtë jam shumë i sigurt, ma ka varfëruar veprën sepse më ka lënë më pak kohë. Në politikë jam përpjekur të mos njollosem dhe taktikat e politikanit nuk janë të nevojshme për personazhet e tua. E dyta më ka dhënë një përvojë fantastike për shkrimtarin. Në vepra ka një lloj ndikimi të historisë me H të madhe, pra historia e kombit si dhe historisë me h të vogël mbi jetën e njeriut shqiptar, dramën e tij dhe unë kam pasur mundësinë ta njoh pushtetin nga brenda, transformimet që pësojnë, dramën e tyre, kështu që kjo përvojë për mua mbetet shumë e rëndësishme. 

Ju jeni rikthyer në politikë, si pjesë e Komisionit të Vlerësimit të Kandidaturave për përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë të PD-së. Si është ky rikthim për ju?

Ky është një rikthim krejt i përkohshëm, e pranova këtë ftesë si një borxh që ia kisha Partisë Demokratike, si një kuriozitet dhe me qetësinë e një njeriu që e di se kjo do të zgjasë vetëm 3 muaj. Nëse do të ishte fillimi i një karriere nuk do ta pranoja, por duke qenë se ishte një angazhim 3-mujor e pranova dhe mendova se bëra mirë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë