Libra

Besnik Mustafaj, autori më i mirë i vitit 2019

Në përfundim të Panairit të 22-të të Librit në Tiranë këtë të shtunë u ndanë edhe çmimet për autorët dhe shtëpitë botuese që morrën pjesë.

Autori më i mirë i vitit 2019 u  shpall Besnik Mustafaj. Shkrimtari u vlerësua për romanin “Dëmtuar gjatë rrugës”. Motivacioni që e shoqëroi këtë çmim ishte ky: Për përshkrimin plot realizëm dhe ironi të hollë të një periudhe dramatike, ende të pranishme dhe të gjallë në mendjet e njerëzve, ravijëzimin plot ritëm poetik, estetik dhe të besueshëm të personazheve dhe rrëfimin transparent të zvetënimit të individit në një shoqëri totalitare.

Ndërkohë përkthyesi më i mirë i vitit 2019 u shpall Korab Hoxha për përkthimin e “Tetori në vagon”. Libri me poezi, ese dhe prozë të shkurtër është i autores ruse Marina Cvetajeva,

Në Panairin e Librit, u vlerësua si autori më i mirë i prozës memorialistike, Lekë Tasi me librin e tij “Grabjani rrëzë kodrave”

Çmimi i Ambasadës së Francës për përkthimin më cilësor iu dha Shtëpisë botuese “Dituria” për shqipërimin e librit “Lehtësia e padurueshme e qenies” të Milan Kunderës. “Për promovimin e letërsisë më të mirë bashkëkohore franceze, përmes sjelljes në një shqipe të pastër e të thellë të librit më të rëndësishëm të Kunderës, me karakter sa universal aq edhe historik. Në këtë përkthim, thjeshtësia ngrihet në abstraksion dhe interpretimi i tekstit si çelës i suksesit të përkthimit të mirë, është arritur maksimalisht. Me këtë rast, lexuesit shqiptarë mund ta shijojnë përkthimin po aq sa edhe origjinalin”, thuhet në motivacionin që shoqëroi këtë çmim që u dha nga ambasada franceze këtu në Tiranë.

Juria e përbërë nga 5 anëtarë: Lili Sula, pedagoge në UT, Shefe e Departamentit të Letërsisë (Kryetare e Jurisë), Agim Baçi – kritik letrar,  Parid Teferiçi – përkthyes, Adriatike Lami – shkrimtare dhe Agim Doksani – përkthyes, për afro 3 muaj është mbledhur për të përzgjedhur veprat më të mira.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë