Politike

“Dilema” ku Meta futi reformën në drejtësi dhe ndërkombëtarët

Përzgjedhja e Besnik Muçit si anëtar i Gjykatës Kushtetuese nga ana e Presidentit Ilir Meta nxjerr në pah një “defekt” të reformës në drejtësi, që mund të minojë ambicien e mazhorancës për ta bërë këtë gjykatë funksionale brenda këtij viti, edhe si pjesë e njërit prej 9 kushteve të vendosura nga Bundestagu gjerman për hapjen e negociatave.

Ish-prokurori Muçi u betua pasditen e së shtunës në Presidencë në prani të përfaqësuesve nga ambasada amerikane dhe përfaqësia e Bashkimit Europian në Tiranë dhe fill pas këtij momenti, sipas nenit 129 të Kushtetutës, ai ka nisur detyrën si anëtari i dytë i Gjykatës Kushtetuese, që i shtohet Vitore Tushës, e vetmja që i mbijetoi fshesës së vettingut nga trupa e kësaj gjykate.

Besnik Muçi vetë shpalosi kandidaturën për t’u bërë pjesë e Gjykatës Kushtetuese në shkurt të 2018, kohë kur ndodhej në listën e emrave që prisnin për të dalë para KPK-së. Rregullat përcaktonin se kjo nuk ishte pengesë për të kandiduar, por vetëm pasi të kishte kaluar të dyja shkallët e Vettingut, KED mund të niste vlerësimin e kandidaturës së tij.

Problemi është se Besnik Muçi nuk i ka mbyllur llogaritë me organet e vettingut. Ai kaloi me sukses në fund të korrikut të 2018-ës sitën e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, pavarësisht dyshimeve që u hodhën mbi ligjshmërinë e pasurisë së tij. Ndërkombëtarët e ONM dhe Komisioneri Publik nuk u pajtuan me vendimin e KPK dhe apeluan çështjen në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, që nuk ka dalë ende me një vendim.

Rrugët iu hapën në mars të këtij viti nga një vendim i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, që në kundërshtim me frymën dhe parimet e ligjit të vettingut dhe ligjeve të tjera që organizojnë institucionet e reja të drejtësisë merr si të mirëqëna përfundimtare vendimet e KPK-së dhe nisi vlerësimin e kandidaturave..

Ndryshimi i rregullores u argumentua se nuk kishte kandidatura, në një kohë kur nga mazhoranca, kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja jepte si afate muajt e verës për ngritjen e Gjykatës Kushtetuese. Por, sot kjo rregullore rrezikon të kthejë në pikën zero përpjekjet për rikthimin në funksion të Gjykatës Kushtetuese.

Megjithëse ka kaluar një vit nga apelimi, KPA nuk ka dalë ende me një vendim përfundimtar. Në shtator, seancat për Muçin u shtynë për arsye nga më të ndryshmet, mes të cilave edhe mungesa e Natasha Mulajt, njëra prej anëtareve të trupës që po e gjykon në Kolegj. Në seancën e 1 tetorit, Besnik Muçi dorëzoi dokumenta shtesë për pasurinë e tij.

Dokumentacioni i dorëzuar nuk e bindi KPA-në, që në seancën e 16 tetorit vendosi t’i kërkojë Prokurorisë për Krime të Rënda dhe Prokurorisë së Tiranës informacione shtesë, të cilat i konsideroi të nevojshme për çështjen. Për këtë arsye, KPA e shtyu seancën për në datë 4 nëntor, ku Besnik Muçi do të dalë si gjyqtar kushtetutes.

Nisur nga rastet e të shkuarës, nuk përjashtohet mundësia që KPA të rrëzojë vendimin e KPK-së duke shkarkuar Besnik Muçin dhe gjendja në Gjykatën Kushtetuese të rikthehet në pikën zero.

Ky detaj mbi emrin e përzgjedhur si anëtar të parë të Gjykatës Kushtetuese pas reformës në drejtësi nuk mund t’i ketë shpëtuar Presidentit Ilir Meta kur dekretoi emërimin e Besnik Muçit. Lista me katër emra iu dorëzua Presidentit nga KED më 21 shtator. Sipas Kushtetutës, Meta duhet të zgjidhte brenda datës 20 tetor njërin nga tre emrat e rënditur të parët në listën përfundimtare të shpallur nga KED.

Në këtë listë, Besnik Muçi, sipas klasifikimit me pikë të KED-së nuk renditej si kandidati më i mirë. E para ishte klasifikuar Arta Vorpsi, ndjekur më vonë nga Elsa Toska, që të dyja këshilltaret ligjore në Gjykatën Kushtetuese dhe për më tepër, që të dyja e kanë kaluar procesin e vettingut.

Meta nuk zgjodhi asnjërën prej tyre, por Besnik Muçin, ndoshta i detyruar edhe nga përcaktimi kushtetues që mes kritereve të vendosura në emërimin e anëtarëve në Gjykatën Kushtetuese duhet të kihet parasysh edhe barazia gjinore.

Presidenti Ilir Meta dhe përfaësues të SHBA e BE gjatë ceremonisë së betimit të Besnik Muçit si anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Gazeta Si, 19 tetor 2019

Presidenti duke u qëndruar përcaktimeve të Kushtetutës dhe të rregullave të tjera dekretoi Besnik Muçin dhe me këtë akt ka vendosur me, apo pa dashje në një dilemë të madhe ndërkombëtarët dhe institucionet e reja të drejtësisë, që përballë këtij fakti kanë heshtur dhe janë në pritje të vendimit të KPA-së.

Nëse Kolegji i Apelimit vendos për shkarkimin e Besnik Muçit, atëherë ai do të jetë gjyqtari i dytë kushtetues që shkarkohet nga vettingut, pas rastit të Bashkim Dedjas.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë