Gazeta “Si”-Një shtetas algjerian ndërroi jetë, sipas policisë në Tiranë menjëherë sapo konsumoi iftarin. Ai ndërroi jetë pas një dite agjërimi për lutjet që udhëtimi i tij, t’i lehtësohej e të shkonte në vendet e Bashkimit Europian.
Burimet i thanë Gazetasi.al se algjeriani H. Redan dyshohet paraprakisht se, mund të ketë ndërruar jetë pasi ka konsumuar dhe disa medikamente të cilat i mbante me vete.
I riu po qëndronte në një hotel në kryeqytet në rrugën “Lord Bajroni” së bashku me një të njohurin e tij. Miku ishte po ashtu emigrant dhe me qëndrim të përkohshëm në Shqipëri.
Të dy ata kishin ngecur në Tiranë sipas besimtarit tjetër prej një muaji. Por që nuk po siguronin më një mundësi për të vijuar udhëtimin e nisur.
Ngjarja u njoftua nga bashkëkombësi i viktimës me të cilin shkonin rregullisht në një xhami dhe luteshin. Ndërkohë, për shkak të besimit ata vendosën që siç vepronin të vendin e tyre, të agjëronin serish.
“Ne agjëronim të dy”, dëshmon i riu në komisariatin numër 3.
“Kisha vënë re që në hapje të iftarit, ai mbas ushqimit konsumonte disa ilaçe në dukje qetësues. Në çastin që çelnim iftarin kisha parë që konsumonte shumë shpejt ushqimin që të merrte dhe ilaçet. Në darkë kur hapi iftarin dhe kur hëngri bukë e piu ilaçet, e pashë që u shtri në krevat dhe volli. I fola por mandej nuk shfaqi asnjë shenjë reaguese”, shpjegon shoku i të ndjerit.
Shoku i dhomës të besimtarit, e ka humbur qetësinë sipas policisë.
Kështu ka harruar që çelësin e dhomës e kishte në xhep dhe nuk ka dalë nga dera por nga dritarja për të kërkuar ndihmë.
“Të parin që njoftoi i riu është një tjetër shtetas i quajtur Abu Laith, nga Maroku. Të dy së bashku kanë zbritur duke njoftuar recepsionistin. Ky i fundit thirri një autoambulancë, por kur mbërritën në dhomë e gjetën të pajetë 27-vjeçarin”, evindenton për Gazetasi.al policia e Tiranës.
Sipas policisë dy emigrantët prej ditësh e hapnin agjërimin me ushqime të shpejta që i blinin në dyqan. Policia tha se, besimtari i ndjerë për të çelur iftarin kishte blerë pesë molto dhe një shishe fanta. Njësoj kishte vepruar edhe ditët e mëparshme.
“Kam hyrë në Shqipëri si emigrant dhe të dy me Redan, po përpiqeshim për një jetë më të mirë. Ne besonim se do ja dilnim mbanë. Redan besonte dhe për shkak të gjendjes ekonomike mundoheshim të siguronim para sa për të jetuar”,shton shoku i tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




