Biznes

Besimi i konsumatorëve dhe bizneseve u rrit gjatë dhjetorit. Me rënie vetëm ndërtimi

Treguesi i Ndjesisë Ekonomike, TNE, është rritur lehtë në dhjetor 2021, me 0.9%, por me ritëm të ngadalësuar. Rritja për muajin e dytë radhazi është ndikuar nga rritja e besimit të konsumatorëve dhe rritja e besimit të biznesit në sektorëte industrisë, shërbimit dhe tregtisë. Besimi në sektorin e ndërtimit ka pësuar rënie duke ndikuar dhe në rritjen e ngadaltë të TNE-së.

Treguesi  i  besimit  konsumator  u rrit me 1.7 pikë përqind në dhjetor të vitit 2021, ndikuar në përmirësim të dukshëm të blerjeve aktuale dhe pritjet për të ardhmen. Pritshmëritë për situatën financiare dhe situatën ekonomike regjistruan rritje më të vogël.

Besimi në Industri u rrit me 1.5 pikë përqindje nga nëntori në dhjetor, ndikuar nga produktiviteti i lartë. Shfrytëzimi i kapaciteteve dhe gjendja financiare e bizneseve në këtë sektor pësuan rënie nga muaji paraardhës.

Besimi në bizneset e sektorit të shërbimeve u rrit me 4.2 pikë përqindje në dhjetor 2021. Kjo sepse pati rritje të kërkesës dhe shfrytëzimit të kapaciteteve, por u përkeqësua gjendja financiare e bizneseve.

Treguesi i besimit në tregti shënoi një rritje prej 3.2 pikë përqind krahasuar me muajin paraardhës, ndikuar nga ecuria pozitive e këtyre bizneseve dhe pritjet për rritjen e punësimit. Rënie pati shfrytëzimi i kapaciteteve dhe gjendja financiare.

Vetëm në sektorin e ndërtimi, besimi i bizneseve ra me 11.7 pikë përqind gjatë dhjetorit, pas rritjes në dy muajt paraardhës. Rënia e besimit pasqyroi vlerësimin e bizneseve për një nivel më të ulët si të aktivitetit, të shfrytëzimit të kapaciteteve dhe gjendjes financiare. Përsëri, treguesi i besimit të ndërtimit qëndron mbi mesataren historike.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë