Nga Gazeta ‘Si’-Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka rishikuar me ulje pritshmërinë për rritjen ekonomike të Shqipërisë për vitin 2023.
Sipas BERZH, ekonomia e Shqipërisë pritet që të zgjerohet në 2.5% këtë vit duke u ulur me 0.5% në krahasim me projeksionin e muajit shtator.
BERZH, në projeksionin e muajit shkurt, të publikuar sot(16 shkurt), thekson se në vitin e ardhshëm ekonomia e Shqipërisë do të zgjerohet në 3.3%.

Parashikimi i rritjes ekonomike të bankës për të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor në 2023-shin është ulur me 0.8% në 2.2%.
Sipas BERZH, inflacioni i lartë do të zgjasë më shumë se çfarë pritet në vendet e Europës Qendrore dhe Lindore. Rritja do të mbetet gjithashtu e dobët në Europën Lindore, me vetëm 1.6 për qind, dhe në vendet anëtare të BE-së të Europës Juglindore, me 1.5 për qind.
Raporti thekson se vendet në rajon kanë qenë ndër vendet më të prekura nga ndikimi ekonomik i pushtimit rus të Ukrainës, me rritje të çmimeve shumë mbi mesataren e BE-së.
Kryeekonomistja e BERZH, Beata Javorcik vuri gjithashtu në pikëpyetje aftësitë e komunikimit të bankierëve qendrorë të rajonit, të cilat mund të minojnë besimin e publikut në kapacitetin e zyrtarëve për të vënë nën kontroll inflacionin.

“Normat e interesit janë mjeti kryesor në luftimin e inflacionit, por mjeti i dytë më i rëndësishëm është komunikimi me publikun dhe ndikimi i pritshmërive”, tha ajo.
Që kur sulmi rus ndaj Ukrainës shkaktoi një rritje të çmimeve të energjisë dhe ushqimeve një vit më parë, BERZH thekson se vendet e Europës Qendrore dhe Lindore kanë luftuar me inflacionin në nivele të papara që nga vitet 1990.
BERZH pret që ekonomia e Rusisë të tkurret me 3 për qind këtë vit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.