Shqipëria dhe Bosnjë Hercegovina janë dy shtetet e Ballkanit Perëndimor që po vuajnë më shumë nga largimi i profesionistëve të teknologjisë, sipas një raporti të fundit të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
Sipas raportit, mesatarisht 1.5% e njerëzve në rajonet e BERZH, që kanë listuar disa aftësi teknologjike në profilin e tyre janë larguar jashtë në vitin 2019.
Megjithëse kërkesat për këto aftësi mund të jenë të larta në vendet në zhvillim, firmat në ekonomitë e përparuara mund të ofrojnë paga shumë më të larta, vëren raporti.
Sipas grafikëve të raportit, Shqipëria renditet ndër vendet e rajonit të BERZH që ka peshën më të ulët të ekspertëve dhe profesionistëve të teknologjisë së informacionit në raport me totalin e të punësuarve, që i referohen vitit 2019, me më pak se 1% të totalit, nga 3% që është mesatarja e ekonomive të zhvilluara.
Ndryshe nga vendet e zhvilluara, në Shqipëri, dominojnë sektorët me intensitet të ulët dhe të mesëm të digjitalizimit, duke përbërë rreth 70% të punësimit në 2019, ndërsa lidhur me mundësitë digjitale, përparimin më të madh e ka bërë shteti.
Shtetet renditen sipas treguesit të mundësive digjitale për vitin 2020 duke u krahasuar me 2015-n. Shqipëria për vitin 2020 e ka këtë tregues 65.4 duke bërë progres në krahasim me vitin 2015 kur treguesi ishte 46 pikë ndërsa renditet më dobët në digjitalizimin e individëve.(20.4)
Më mirë në rajon është Serbia me 68 pikë.
Treguesi për infrastrukturën është 55.6 pikë, nga 44.1 pikë që ishte në 2015-n ndërsa treguesi i rregullimit të tregut është përmirësuar nga 40.6 në 67.2.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.