Ekonomi

BERZH s’ndryshon parashikimin për ekonominë e Shqipërisë

Nga Gazeta ‘SI’ – Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) nuk e ka ndryshuar parashikimin për rritjen ekonomike të Shqipërisë dhe pret që ajo të rritet me 2.5% deri në fund të vitit 2023.

Vitin që vjen ritmet e rritjes pritet të përshpejtohen ne 3.3%.

Parashikimet e BERZH mbulojnë vendet në zhvillim në tre kontinente. Ekonomia e këtyre vendeve pritet të zgjerohet me 2.2 % në vitin 2023, pak më ulet se 2.3% nga parashikimi i shkurtit. Rritja pritet të përshpejtohet në 3.4%  në vitin 2024 (nga parashikimi prej 3.3% në shkurt), ndërsa presionet inflacioniste po ulen gradualisht.

Ekonomistët e BERZH pohuan se ritmet më të ulëta të rritjes ketë vit u ndikuan nga tërmetet e shkurtit në Turqi, shtrëngimin e pritshëm të kushteve të kreditimit; reformat e vonuara në Mesdheun Jugor dhe lindor dhe inflacioni i vazhdueshëm në Europën Qendrore dhe në shtetet baltike.

Prodhimi në Ballkanin Perëndimor parashikohet të rritet me një normë prej 2.2% me 2023, pavarësisht presioneve inflacioniste dhe një perspektive të ndrydhur në ekonomitë e përparuara të Europës.

Prodhimi në Europën Qendrore dhe shtetet baltike pritet të rritet me një masë modeste prej 0.5% në vitin 2023, i rishikuar në rënie në krahasim me shkurtin për shkak të rritjes më të ngadaltë se sa pritej në ekonomitë e përparuara dhe inflacionit të vazhdueshëm. Rritja pritet të rritet deri në 2.9 për qind në vitin 2024 në këtë Rajon.

Ritmet e zgjerimit ekonomik pritet gjithashtu të ngadalësohen në Europën Lindore dhe Kaukaz (me përjashtim të Ukrainës) pasi faktorët e jashtëzakonshëm që nxitën aktivitetin ekonomik në vitin 2022 kanë shuar efektet ketë vit.

Ekonomia e Ukrainës pritet të rritet vetëm në mënyrë modeste, me 1 % në 2023 dhe 3% në 2024, pasi bizneset po përshtaten me rrethanat e luftës.

Rritja në Turqi pritet të ngadalësohet në 2.5% në 2023 dhe 3% në 2024. Rishikimi në rënie për vitin 2023 pasqyron ndikimin e tërmeteve të shkurtit 2023, si dhe shtrëngimin e pritshëm të kredisë në gjysmën e dytë të 2023.

Rritja në Azinë Qendrore parashikohet të mbetet e fortë, në 5.2% në 2023 (rishikuar nga shkurti) dhe 5.4% në 2024. Zhvendosja e bizneseve ruse dhe rritja e eksporteve të naftës po nxisin rritjen në Kazakistan, ndërsa Mongolia po përfiton nga zgjerimi prodhimit në miniera nga rihapja e Kinës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë