Lajme

BERZH financon Kosovën për ekonominë e gjelbër

BERZHI ka ofruar një kredi prej 2 mln euro për institucionin mikrofinanciar në Kosovë, KrK, me qëllim ofrim huadhënieje për Ndërmarrjet e Mesme dhe të Vogla në lëmin e ekonomisë së gjelbër.

Këto fonde, sipas BERZH,  do të jepen në formë të kredive për NMVM-të vendase, me qëllim të nxitjes së konkurrueshmërisë së tyre duke ju ofruar qasje në financim.

Kjo hua është në mbështetje të zhvillimit të bizneseve të vogla në Kosovë për Kreditimin Rural.

Sipas njoftimit të BERZH, fondet do  të shpërndahen në formë të kredive për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme (NMVM) në pronësi private, që paraqesin sektorin më gjallërues dhe me rritjen më të shpejtë në ekonomi.

Huaja e re e BERZH vjen pas kredisë prej 2 mln euro për KrK për të thelluar financimin e ekonomisë së gjelbër. Këto fonde janë vënë në dispozicion në formë të kredive për kredimarrësit nga sektori rezidencial për investime në teknologji që do të reduktojnë intensitetin e shfrytëzimit të energjisë dhe përmirësojnë efiçencën e energjisë sipas qasjes së BERZH për Tranzicionin në Ekonomi të Gjelbër (GET). Qëllimi i këtyre investimeve nuk ishte vetëm që ekonomitë familjare të rrisin efiçencën e energjisë, mirëpo gjithashtu të reduktojnë emetimet e gazrave serë, duke reduktuar ndikimin në mjedis.

KrK u themelua në vitin 2000 dhe ofron financim për individët me të ardhura të ulëta në zonat rurale dhe urbane të Kosovës, duke i dhënë përparësi sektorit të bujqësisë dhe duke i shërbyer gjithashtu edhe veprimtarive të tjera ekonomike përmes rrjetit prej 24 degëve në mbarë vendin.

KrK u bë klient i BERZH në vitin 2012 kur Banka ofroi një linjë kreditore për ndërmarrjet e vogla dhe ka mbetur në mesin e institucioneve financiare kyçe përmes të cilëve Banka arrin deri te NMVM-të e mbështetura pamjaftueshëm në Kosovë.

Deri më sot, BERZH ka investuar 339 mln euro në 58 projekte në Kosovë, që nga vitet 1990 kur filloi të operojë. Prioritetet strategjike të Bankës në vend po promovojnë përfshirjen, ekonominë e gjelbër, qëndrueshmërinë ekonomike dhe integrimin rajonal.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë