Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Bashkimi Europian (BE) po rrisin financimin e sektorit të turizmit në Shqipëri. Marrëveshjet që zyrtarizojnë bashkëpunimin në sektor u nënshkruan sot (e enjte) midis BERZH dhe qeverisë së Shqipërisë.
BERZH po siguron një hua 60 milion € për të bashkëfinancuar infrastrukturën që mundëson turizmin, të tilla si rrugët, përmirësimet e ujit dhe ujërave të zeza dhe infrastrukturën bashkiake, me një fokus të veçantë në bashkitë e Beratit, Korçës, Fierit dhe Shkodrës.
BE po siguron gjithashtu 40 milion € në grante përmes “Instrumentit të saj të Ndihmës së Para-Anëtarësimit” për asistencë teknike dhe investime. Fondet e BE-së do të përdoren për restaurimin, përmirësimin dhe zhvillimin e vendeve të trashëgimisë kulturore dhe natyrore në vend.
Për më tepër, të dy partnerët do të ofrojnë ndihmë teknike dhe mundësi trajnimi, të financuara nga BE, për të ndihmuar në përmirësimin e standardeve lokale të turizmit dhe për të siguruar pjesëmarrjen e grave në zinxhirin e vlerave të turizmit në Shqipëri.
Nën iniciativën e Këshillit të BERZH për Bizneset e Vogla dhe me mbështetjen e BE-së, Banka do të ofrojë gjithashtu shërbime këshillimi për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, të cilat janë aktive në sektorin e turizmit, duke siguruar njohuri për përmirësimin e biznesit të tyre.
Deri më tani, BERZH ka investuar mbi 1.4 miliardë € në 100 projekte në Shqipëri, ndërsa BE është donatori më i madh në Shqipëri dhe ka siguruar mbi 700 milion € midis 2014 dhe 2020.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




