Gazeta Si – Kreu i PD-Rithemelimit, Sali Berisha akuzon qeverinë lidhur me vrasjen e biznesmenit dhe kandidatit të PSD-së për këshillin bashkiak, Ardian Nikulaj në Shëngjin.
Në një postim në rrjetet sociale, Berisha është shprehur se Nikulaj ka marrë kërcënime ditët e fundit nga ata që ai i quan” “mjedisi banditesk i kriminelëve elektoral Manja-Ndreu”.
“Skuadra e pushkatimit nën mbrojtjen e qeverisë kryen ekzekutimin e radhës! Rendi në duart e krimit! Ky krim i shëmtuar ndodh tre ditë pasi Edi Rama hapi fushatën në Lezhë dhe pasi viktima, i ndjeri Nikulaj, kishte bërë të qartë publikisht se ai ishte kundër kandidaturës së Rilindjes, Pjerin Ndreu, duke dalë kështu haptazi kundër aleancës Rama-Doshi dhe linjës zyrtare të partisë së tij, – shkruan ish-kryeministri. – Ndërkohë, mësohet se ditët e fundit ai ka marrë kërcënime të përsëritura nga mjedisi banditesk i kriminelëve elektoral Manja-Ndreu, drejtues (kapobanda) kryesore të Rilindjes për Qarkun e Lezhës”.
Duke i shprehur ngushëllimet familjes së të ndjerit, Berisha thekson se PD dënon me ashpërsinë më të madhe ekzekutimin e politikanit lokal dhe biznesmenit Ardian Nikulaj, si një akt të shëmtuar kriminal në fushatë elektorale dhe me sfond politik nga falangat e krimit të lidhura direkt me qeverinë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.