Gazeta Si – Ndërsa në 11:30 pritet të mbahet seanca paraprake në GJKKO, ku pritet të caktohet nëse dosja kalon ose jo për gjykim, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka publikuar dokumente të tjera para godinës së SPAK, të cilat sipas tij inkriminojnë gjyqtaren Irena Gjoka për një dënim të saj në Greqi.
Pas daljes nga SPAK, Berisha sulmoi jo vetëm kreun e Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, por edhe gjyqtaren e hetimit paraprak, Irena Gjoka.
Pasi ka zbatuar masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, Berisha tha se Gjoka ka gënjyer në dokumente zyrtare duke pretenduar se nuk është dënuar kurrë.
“Kjo delinkuente, më datë 31.03.2003 ka firmosur te noteri prokurën për vete, duke cilësuar avokatin Andon Konomi me banim në Patra si përfaqësuesin e saj. Ky dokument vërteton se ajo është dënuar nga shteti grek, se ka mashtruar nga shtetin shqiptar qoftë për dënimin, qoftë për dëbimin, – u shpreh Berisha. – Ajo publikisht e ka mohuar, duke thënë se nuk ka pasur kurrë të tilla gjëra, ndërkohë ka marrë prokurë për t’i hequr këto masa. Nuk mund të ketë mashtrim më ordiner sesa ky, – akuzoi Berisha. – Do ju sjell dokumentin e Gjykatës së Janinës, ku ajo është dënuar me tre muaj burg. Gjykata speciale kryesohet nga kriminelë specialë”.
Berisha u prit në hyrje të SPAK nga mbështetës të tij dhe simpatizantë të PD. Pasi doli nga Prokuroria e Posaçme, Berisha lexoi edhe shënimin që i la Altin Dumanit.
“Qëndrimi mbrojtës ndaj krimit elektoral i Altin Dumanit, përbën një krim të rëndë antikushtetues në shërbim të narkoshtetit dhe kreut të tij, Edi Rama. Kjo është deklarata që unë i lashë kreut të Skap-it, – tha Berisha. – PD, ka përgatitur mbi 15 padi, që natyrisht do kenë fatin e padive të tjera, sepse në krye të amnistisë së krimit elektoral qëndron vetë Altin Dumani, shërbëtor i shpifur i Ulsi Manjës, i keqpërdorur në shkallë ekstreme nga Edi Rama. Kemi dorëzuar me dhjetëra padi edhe gjatë fushatës. Prokurorë të tjerë kanë një drejtues”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.