Nga Gazeta ‘Si’- Në një konferencë për shtyp, Sali Berisha mori shkas nga deklarata e sotme e Altin Dumanit, se Erion Veliaj po hetohej veçmas për disa vepra penale, për ta sulmuar kreun e SPAK.
Berisha u shpreh se 130 milionë eurot e inceneratorit të Tiranës po investohen sipas tij në kulla nga dyshja Rama-Veliaj.
“Sot, Altin Troplini informoi se Veliaj po hetohet për fakte të tjera penale.
Të dashur qytetarë, qytetarët digjitalë kanë informuar se dëshmitarët e aferës Veliaj, aferës ta quajmë ‘Nesti Angoni’, kanë dhënë dëshmi tronditëse për 130 milionë euro të inceneratorit, pasuri publike e shqiptarëve, fonde publike të shqiptarëve.
Qytetarët digjitalë informojnë se janë bërë dëshmi se paratë e inceneratorit të Tiranës janë investuar në kulla nga Edi Rama dhe Erion Veliaj. Unë garantoj qytetarët se këto dëshmi nuk do mund të zhduken gjersa të gjendet çdo qindarkë e vjedhur nga Rama-Veliaj me djegësin e Tiranës dhe për të cilat Altin Troplini mban heshtje varri.
Unë paralajmëroj se çdo fshehje dhe injorim i dëshmive për 130 milionë euro, do të ngarkojë me përgjegjësinë më maksimale, të barabartë me vjedhësit, ata që duan t’i fshehin sot” – u shpreh Berisha.
Kreu i PD-së bëri edhe intepretimin e tij se pse SPAK nuk heton këtë aferë.
“Natyrisht askush të mos presë që Altin Troplini të ndjekë këtë çështje përderisa aty është emri i Edi Ramës. Çdo gjë që lidhet me Edi Ramën, fshihet dhe mbyllet nga Altin Troplini. Por, e vërteta vonon, por nuk harron.
130 milionë euro, në fakt janë edhe nja 60 milionë të dherave, kështu që shkojnë 190 milionë. Qytetarët digjtalë informojnë se janë bërë dëshmira për përdorimin e këtyre parave të vjedhura në kulla.
Natyrisht kjo kërkon një hetim të plotë dhe të gjithanshëm. Dhe me Altin Troplinin ky hetim është i pamundur” – përmbylli Berisha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




